Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha të shtunën se një projekt mbi mundësinë e furnizimit të Turqisë me avionët luftarak Eurofighter do të drejtohet nga Britania dhe se procesi ishte në fazat e hershme.

“Është një proces që do të vazhdojë të zhvillohet, por tani po kryesohet nga Britania”, tha udhëheqësi gjerman kur u pyet mbi këtë çështje gjatë një konference shtypi në Stamboll përkrah Presidentit Tajip Erdogan. Qeveria britanike nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Ankaraja tha vitin e kaluar se ishte në bisedime me Britaninë dhe Spanjën lidhur me përpjekjet e saj për të blerë avionët luftarak të modelit “Eurofighter Typhoon”, megjithëse Gjermania e kundërshtoi këtë ide.

Që nga ajo kohë, Turqia e ka kritikuar mungesën e përparimeve në këtë çështje, ndërsa deri më tani zoti Erdogan ka aluduar për hezitimin e Berlinit.

“Ne dëshirojmë të lëmë pas disa nga vështirësitë e përjetuara në të kaluarën lidhur me furnizimin me mjete të mbrojtjes dhe ta zhvillojmë më tej bashkëpunimin tonë”, tha për gazetarët Presidenti Erdogan.

Ditë më parë, një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes i Turqisë tha se Ankaraja kishte ndërmarrë tentativa teknike që synojnë në përshpejtimin e blerjes së planifikuar të avionëve luftarakë. Në nëntor të vitit 2023 Ankaraja bëri të ditura synimet për të blerë 40 avionë luftarakë të modelit “Eurofighter Typhoon”.

Avionët në fjalë prodhohen nga një konsorcium mes katër vendeve evropiane, Gjermanisë, Britanisë, Italisë dhe Spanjës./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA