Vrasja e Sinwar, ja kush mund ta udhëheqë Hamasin pas vdekjes së liderit! Emrat më të lakmuar për ta zëvendësuar

18/10/2024 19:05

 Izraeli arriti të mërkurën në misionin e tij njëvjeçar për të vrarë liderin e Hamasit, Yahya Sinwar, njeriun e akuzuar si një nga organizatorët e sulmeve të 7 tetorit 2023.

Por ndërsa vdekja e Sinwar është një goditje e madhe për Hamasin, ajo nuk sinjalizon vdekjen e menjëhershme të grupit. Hamasi është zotuar të vazhdojë luftimin, duke thënë se vrasja e liderëve, përfshirë Sinwar, nuk do të thotë fundi i lëvizjes së tyre.

Një deklaratë e së premtes nga zyra politike e Hamasit që konfirmonte vdekjen e Sinwar tha se “Hamasi çdo herë bëhej më i fortë dhe më popullor dhe këta liderë u bënë një ikonë për brezat e ardhshëm për të vazhduar udhëtimin drejt një Palestine të lirë”.

Kush do e pasojë Sinwar?

Është e paqartë nëse vetë Sinwar ka lënë ndonjë udhëzim se kush duhet ta zëvendësojë atë, por vëllai i tij më i vogël Mohammed Sinwar shihet nga shumë si trashëgimtari i tij. Ashtu si vëllai i tij, Mohamedi është një militant i linjës së ashpër, i cili kohët e fundit u bë komandant ushtarak i Hamasit.

Fati i Mohammed Sinwar aktualisht nuk dihet. Mediat izraelite raportuan të premten se një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes izraelite tha se ata “po e kërkojnë në mënyrë aktive” për të. Një zyrtar i lartë izraelit i tha më parë CNN se dy vëllezërit kaluan pjesën më të madhe të vitit të kaluar krah për krah dhe ishin së bashku deri në gusht.

Mousa Abu Marzouk, zëvendës shefi i byrosë politike të Hamasit që ndihmoi në themelimin e Hamasit, mund të jetë gjithashtu një pretendent për t’u bërë zëvendësuesi i Sinwar. Ai kaloi pesë vjet duke jetuar në Shtetet e Bashkuara përpara se FBI ta caktonte atë si terrorist. Ai përfundimisht u deportua.

Khaled Meshaal , ish-shefi politik i grupit, shihet gjithashtu si një pretendent i fuqishëm për këtë rol. Meshaal është i njohur ndërkombëtarisht, pasi është takuar me zyrtarë të lartë, duke përfshirë ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara Jimmy Carter, Mbretin e Jordanisë Abdullah II dhe Udhëheqësin Suprem të Iranit Ayatollah Ali Khamenei në të kaluarën.

Megjithatë, ai mund të përballet me vështirësi lidhur me mbështetjen e tij të kaluar për një kryengritje sunite kundër presidentit sirian Bashar al Assad pasi Hamasi, vetë një grup sunit, mbështetet nga Irani me shumicë shiite.

Zëvendësi i Sinwar, Khalil Al Hayya shihet si një tjetër pretendent i fuqishëm për këtë rol. Ai veproi si kryenegociatori për Hamasin gjatë bisedimeve të fundit të armëpushimit në Kajro dhe është i vendosur në Katar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA