Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka inspektuar sot punimet për rikualifikimin e një tjetër blloku banimi në kryeqytet.
Bëhet fjalë për bllokun që ndodhet ndërmjet Kombinatit dhe Selitës, në Njësinë Administrative nr. 6 në Tiranë. Ai e konsideroi ndërhyrjen në rrugët “Sabaudin Gabrani,” “Jonuz Rama” dhe “Hamdi Çullhaj” si një investim të jashtëzakonshëm për zonën.
“Është një lajm i jashtëzakonshëm që në këto 10 segmente vjen urbanizimi për të gjithë banorët e Kombinatit, në këtë zonë të ndërmjetme mes Selitës dhe Kombinatit. Ndonjëherë, kur nuk do ta bësh një punë, thua gjithmonë i përket një lagjeje tjetër. Por, kur do ta bësh një punë, nuk ka rëndësi fare nëse është Selitë, Kombinat apo është e ndërmjetme, sepse në fakt puna duhet bërë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku vlerësoi bashkëpunimin me banorët e zonës, për të cilët tha se do të kenë një rritje të vlerës së pronës falë këtij investimi të Bashkisë së Tiranës.
“Kur të gjithë bashkëpunojnë, kur të gjithë japin energji të mirë, të gjithë heqin kangjellat, avllitë e tyre, për të mirën e përbashkët, për t’u siguruar që përtej asfaltit që duket në sipërfaqe, është riparuar gjithë sistemi ynë i kanalizimeve, sistemi i ndriçimit dhe në njëfarë mënyre mund të themi që vetëm nga kjo punë që është bërë është rritur vlera e pronës me 25-30 %. Ajo që ne shohim shpesh është që sapo mbaron një punë cilësore nga Bashkia, sapo vjen një urbanizim me themel i lagjes, rritet edhe njëherë vlera e pronës. Edhe për këta banorë që ndoshta kanë qenë të fundit që janë legalizuar dhe të fundit që janë urbanizuar, unë them që sot janë tamam në kryeqytet”, shtoi Veliaj.
Projekti parashikon ndërhyrje të rrënjësishme në rrjetin rrugor në brendësi të bllokut në Njësinë Administrative nr. 6 në kryeqytet. Po realizohen punime në trup të rrugës, punime trotuari, bordura, punime në sigurinë dhe sinjalistikën rrugore si dhe punime për ndriçimin e zonës.
Top Channel