“Për shqiptarët”/ Humbi dy fëmijë dhe u diagnostikua me tumor, rrëfimi rrëqethës i bashkëshortit

18/10/2024 22:56

Petriti erdhi në jetë 54 vitë më parë në Peshkopi. Ishte djali i parë i familjes Ndreu, të cilit si më i madhi I shtëpisë, do t’i duhej të ikte i pari nga shtëpia e prindërve, në moshën 20 vjeçare, për të punuar e për t’ia dalë vetë.

Asokohe do të lidhte në supe një batanije leshi e një jorgan e do të nisej me xhaxhallarët e tij për të nisur jetën në Tiranë, në fshatin Bërzhitë. Xhaxhallarët erdhën së bashku me familjet, ndërsa Petriti totalisht i vetëm.  Morën një shtëpi të përbashkët ku Petritit i takonte vetëm një dhomë. E ka nisur me 0, pa patur asnjë divan ku mund të ulej, por me energjinë e një djali të ri, të vendosur që do t’ia dilte të ndërtonte jetën që prindërit në varfëri nuk mundën t’ia ofronin.

Për banorët e Bërzhitës, Petriti me të afërmit e tij, ishin ‘‘të ardhur-it” e për pasojë nuk e kishin fort të lehtë të socializoheshin. Por kjo nuk e pengoi Petritin të punonte e madje shumë shpejt fitoi respektin e banorëve të zonës.

2 vite pas qëndrimt të tij në Bërzhitë, në rrugicat e fshatit, Petriti shikon një vajzë, të cilën e pëlqen që në fillim. Ishte e veçantë thotë ai, se si për fat çdo ditë e rastiste në rrugë. Petriti e shikonte, por nuk merrte guximin t’i fliste.

Në ato kohë prindërit u munduan 2 herë ta prezantonin me vajza të tjera për tu fejuar, por ai gjente arsye te ndryshme për të thënë jo, derisa një ditë merr vendimin për ti propozuar Hurmës për martesë. Hurma ishte 19 vjeç dhe ai 23. I pëlqente shumë ajo vajzë, mënyra se si ecte, si e shikonte vjedhurazi, por edhe kryeneçësia e saj, që për 2 vite radhazi nuk i dha kurrë një shenjë që edhe ajo e pëlqente. Petriti vendosi t’i propozonte për martesë, e 30 vjet më parë, në shtator të 94-ës, lidhën kurorë me një dasmë modeste, por me shumë dashuri.

Petriti e mori Hurmën nuse në shtëpinë e tij, që vështirë të quhej e tillë, sepse ishte vetëm 1 dhomë. Por çifti i ri duhej aq shumë, sa e kthyen atë dhomë në strehën më të ngrohtë të dashurisë. Hurma ishte një vajzë tejet puntore dhe i thotë Petritit se do të dy bashkë do të hedhin themelet për një shtëpi të tyren, më të madhe, që të jenë gati për të ndërtuar familjen e re.

Dhe ashtu bën, të dy bashkë hodhën themelet e shtëpisë së re, por punimet i ndërprenë për shkak të shtatzënisë.

2 vite pas martese çifti gëzohet me shtatzëninë e parë të Hurmës. Nuk ishte shtatzëni e lehtë, por ardhja në jetë e vajzës solli gëzimin më të madh që kishin provuar ndonjëherë, e nga ana tjetër edhe dhimbjen më të madhe.

Vetëm 2 muaj pas lindjes e vogla e tyre ndërroi jetë. Mjekët i thanë se vuante nga fibroza cistike, një çrregullim i trashëguar, që karakterizohet nga bllokimi dhe infeksioni i rrugëve të frymëmarrjes.

E vogla e tyre nuk ia doli, por çifti i ri pak dinte për këtë sëmundje. Ëndrrat për të ndërtuar shtëpinë e re, muret e së cilës do të merrnin jetë nga të qeshurat e fëmijëve, u bënë më mbytës se kurrë.

Petriti tregon se Hurma u trishtua tej mase, por e rigjetën forcën bashkë, duke i premtuar njëri-tjetrit se nuk do e humbisnin shpresën. 2 vite pas humbjes së vajzës, Hurma mbetet sërish shtatzënë. Lumturohen të dy, me shpresën se tani do të kishte gëzim në familjen e tyre.

Muajt kalonin me padurim, por Hurma rrinte në merak, nuk ia bënte zemra të gëzonte shumë, vetëm lutej që gjithçka të shkonte mire. Kaluan muajt dhe erdhi dita që gëzoi sërish çiftin. Ishte djalë dhe për ta një bekim që do të shëronte plagët. Por nuk ndodhi kështu.

Tashmë për çiftin dhimbja nga humbja e një fëmijë, ende e pashëruar, u shumëfishua kur djali i tyre vetëm 1 javë pas lindjes, ndërron jetë nga po e njëjta sëmundje. Për nënën e re nuk kishte më ngushëllim dhe ishte Petriti ai i cili do duhej të bëhej pak më i fortë, për t’i dhënë kurajë Hurmës, për t’i thënë se ishin të rinj e se s’do kishte vetëm zi për ta. Të dy bashkë u munduan të mbushnin zemrat e zbrazura me dashuri.

Shtëpia që kishin nisur të ndërtonin mbeti ashtu, me themelet e hedhura, por s’iu bënin më duart të vazhdonin më tej.

Ishte viti 2000 kur jeta e tyre do të merrte një kthesë të lumtur. Pas shumë dhimbjesh e gëzimesh, vjen në jetë Kevin, djali i tyre. Kevin erdhi në jetë i shëndetshëm, e mori e solli gjithë dashurinë e mbetur pezull, të këtyre të rinjve që me padurim prisnin një fëmijë.

Vitet kur lindi Kevin, i kujtojnë si më të lumturat e më të qetat në jetën e tyre. Thonë kështu, sepse 4 vite pas lindjes së djalit, Hurma e Petriti do të bëheshin prindër të Lejlës, vajzës së tyre sot 20 vjeç.

Këtë herë ishte Hurma ajo që pas lindjes së vajzës do të sëmurej rëndë me një infeksion në mëlçi.

Qëndroi në koma për 2 javë dhe të voglën e ushqenin me qumësht gjiri nënat e reja në fshat që ishin bërë së fundmi me fëmijë.

Kur Hurma zgjohet nga koma, mjekët i thonë Petritit se gjasat janë të mos ia dalë të jetojë. Petriti nuk harron kurrë kur Hurma pasi kishte kuptuar gjendjen e saj, i kërkon të motrës t’i shtrydh qumështin e gjirit për të bijën, deri në ditën e fundit të jetës. Por Petriti ishte aty për t’i dhënë kurajë, kësaj gruaje me zemër të bardhë, por të pafatë.

Zoti bëri mrekulli dhe Hurma me kurajën e një nënë të re që kishte dy fëmijë të vegjël për të rritur, arrin t’ia dalë.

Më pak se 2 muaj pas daljes së saj nga spitali, do të ishte Lejlja e vogël ajo që nis shqetësimet. Lelja diagnostikohet me Fibrozë Cisike. Prindërit e dinin mirë se çdo të thoshte ajo sëmundje, por për fatin e tyre mjekësia kishte avancuar më shumë, dhe Lejla ia doli të mbijetonte edhe pse me mjekime gjithë jetën.

Dukej sikur hallet s’kishin fund, por Petriti thotë se Hurma ishte një nënë e jashtëzakonshme, që për fëmijët e saj nuk u dorëzua kurrë. Ai nuk harron se si ajo me gjithë vështirësitë e saj shëndetësore, e me dhimbjet e përjetuara, e netët plot ankth spitaleve më të bijën, gjente kohën edhe për Petritin, për t’i thënë se ishte me fat që kishte një bashkëshort si ai që se kishte lënë kurrë vetëm e se kishte shqetësuar asnjëherë. E nga ana tjetër Petriti thotë se me fat ishte ai, për një grua aq të duruar e të dashur me të cilën ndërtoi familjen më të ngrohtë.

Petriti dhe Hurma kanë punuar të dy si këpucar, duke punuar deri vonë, që fëmijëve të tyre të mos I mungonte asgjë.

Me gjithçka që Petriti ka rrëfyer, teksa I dëgjon lind pyetja: A ka më sprova për këtë çift? E për fat të keq, përgjigja është po.

1 vit më parë, Hurma merr një tjetër lajm tronditës. Pas një mamografie, zbulon se në gjoksin e saj ndodhej një masë kancerogjene për të cilën duhet të niste menjëherë kimioterapitë. Hurma u dorëzua. Ishte e lodhur me spitalet, me mjekimet, me vuajtjet e njëpasnjëshme. I tha Petritit se ky ishte fati i saj e I duhej thjesht ta pranonte. I thotë së refuzon të bëj kimioterapitë por Petriti nuk do e pranonte dot kurrë që ta humbiste bashkëudhëtaren e tij. E bind Hurmën që të shkojnë në Turqi për mjekim, me para që do i merrte borxh, vetëm që ajo të jetonte.

Arrin ta bind, e të dy nisën në Turqi, drejt të panjohurës, por me lutjet e shpresën se Hurma do kthehej shëndosh e mirë. Petriti thotë se ishte në gjendje të shiste dhe shtëpinë, vetëm që Hurma të mos vuante më.

Në korrik të këtij viti Hurma bën një operacion duke hequr masën tumorale, por i duhet ende të bëjë seanca kimeoterapie, plot 10 të tilla. Kanceri i gjirit ishte pikërisht ajo që Hurma se kishte menduar ndonjëherë se do i ndodhte. Ajo e do shumë jetën, e ka përballuar gjithçka për fëmijët e saj, por dukej sikur sado të mundohet të eci përpara, sprovat e kthejnë pas.

Petriti është këtu sot, për t’i dhënë forcë e për t’i thënë se pa të shtëpia nuk ka jetë. E nëse do duhej të shesi gjithçka për ta parë të lumtur e të shëndetshme, është i gatshëm ta bëj, vetëm që ajo të buzëqesh sërish e të ketë një ditë të lumtur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA