“Për shqiptarët”/ Drama e familjes së Besjanës, djali 4 vjeç në luftë me jetën, 3 fëmijët e tjerë….

18/10/2024 22:15

“Për Shqiptarët”- Besjana dhe Eltoni janë njohur në Korçë kur ishin 20 dhe 24 vjeç.

Të dy vinin nga familje të varfra, por pavarësisht kësaj kanë pasur dëshirë të krijonin një familje të madhe. Dhe kështu bënë. Ata kanë 11 vite bashkë dhe janë bërë prindër të 5 fëmijëve, 2 vajza e 3 djem. Vajza më e madhe është 11 vjeç ndërsa më e vogla është 3 vjeç.

Eltoni punon në bujqësi dhe kur është e nevojshme shkon dhe në Greqi për të bërë çdo lloj pune që I ofrohet, ndërsa Besjana kujdeset për fëmijët.

Edhe pse fëmijët janë të vegjël, kanë ëndrra, dëshira dhe nevoja, por Besjana dhe Eltoni nuk mund t’ua plotësojnë. Ata kanë bërë sa kanë pasur mundësi që të mos mungojnë gjërat bazike, por lodrat, torta për ditëlindjet apo rrobat e reja për ditën e parë të shkollës kanë qenë një luks që nuk e përballonin dot.

Varfëria ka qenë e pranishme çdo ditë në shtëpinë e tyre, aq sa ndonjëherë ka qenë e vështirë të kishin në tavolinë ushqim të mjaftueshëm për të gjithë.

Besjana dhe Eltoni I jepnin forcë njëri tjetrit që të ecnin përpara pa u dorëzuar, do e bëjmë për fëmijët thoshin. Ama kjo forcë shteroi një vit më parë kur djali I tyre I vogël Indriti, u sëmur.

Deri në moshën 4 vjeçare Indriti ka qenë një fëmijë shumë energjik, luante me motrat dhe vëllezërit, vraponte nëpër shtëpi dhe qeshte. Besjana thotë se nuk mërzitej kurrë për asgjë. Por pak nga pak nisi të ndryshojë.

Po bëhej më agresiv, zëri po I ndryshonte dhe grindej gjithë kohën. Besjana fillimisht nuk e mori si diçka shumë shqetësuese sepse mendoi se kjo po ndodhte prej moshës… Një natë u zgjua e trembur nga të bërtiturat e Indritit dhe me zë të mekure pyeti: ‘Cfarë ke bir?’, por pa se fytyra e djalit të saj të vogël kishte ndryshuar.

E dërguan menjëherë në spital dhe pas shumë vizitave doktorët I thanë se duhet të bëhej e fortë sepse djali ishte diagnostikuar me tumor në kokë…

Kështu nisi kalvari I çdo dite nëpër dhomat e spitalit, nga një ekzaminim në tjetrin e deri në nisjen e kimioterapive. Deri më tani ka bërë 2 seanca kimioterapie por me shumë vështirësi kanë arritur të gjejnë lekët.

Niseshin nga Korça në mëngjes, arrinin në kohë për seancat e kimioterapisë dhe 30 minuta pasi mbaronin niseshin përsëri me fugona për në Korçë dhe kjo situatë e lodhte edhe më shumë Indritin e vogël. Ai djali me fytyrën e qeshur tani kishte një shprehi lodhjeje dhe konfuzioni, nuk e kuptonte pse duhet të shkonte kaq shpesh në spital. I urren gjilpërat dhe spitalet, fshihet sa herë sheh një infermiere…Besjanës i thyhet zemra kur e sheh shqetësimin në sytë e djalit të saj, por duart I ka të lidhura dhe nuk mund të bëjë asgjë përveç se ta përqafojë…

Doktorët iu kanë thënë se gjendja është shumë e rëndë dhe duhet dërguar për kurim jashtë sa më shpejt të munden, sepse ndryshe rrezikon të ndodhi një fatkeqësi.

E sikur shqetësimi dhe brenga për Indritin e vogël të mos mjaftojë, Besjana ka një peng shumë të madh për 4 fëmijët e tjerë. I vjen keq që ata prej një viti po rriten pa praninë e saj, nuk iu rri dot pranë kur sëmuren, kur kanë temperaturë. Nuk është aty për të gatuar diçka sa herë kanë uri. Ata rrinë me gjyshërit por ngrohtësinë e mamit nuk ua zëvendëson dot askush.

Ajo thotë se nuk I sheh dot në sy kur largohet për të qëndruar afër Indritit sepse I duket sikur po I braktis. Amelia e vogël që është vetëm 3 vjeç qan vazhdimisht dhe kërkon dashurinë e mamit… Besjana thotë se e gjithë jeta nuk do I mjaftojë për t’u shpërblyer fëmijëve këtë që po kalojnë, nuk do ia fali kurrë vetes nëse atyre iu ndodh gjë ndërkohë që ajo është larg. Por ka shpresë se ky makth shumë shpejt do mbarojë e do rikthehen përsëri të gjithë në shtëpi, do qeshin e do gëzojnë si dikur. Po të jenë fëmijët mirë nuk do jenë kurrë të varfër. Shpirti I tyre do jetë plot.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA