Më 24 tetor do të mbahet takimi i radhës në nivel të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Nga Zyra e zëvendëskryeministrtit, njëherësh edhe kryenegociatorit të bisedimeve, Besnik Bislimit është konfirmuar se “fokus i diskutimeve do të jetë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj të Ohrit”.

Por, nga kjo zyrë nuk është qartësuar nëse do të ketë takim trepalësh me ndërmjetësin, Miroslav Lajcak dhe kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviç.

Këshilltari politik i Kryeministrit Albin Kurti të premten tha se nuk do të ketë zbatim të pjesshëm të marrëveshjes bazike dhe se duhet të tërhiqet letra e ish-kryeministres serbe, Ana Brnabiç.

“Letra të cilën e ka deponuar ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ajo duhet të tërhiqet. Sepse aty shkruhet se për Serbinë marrëveshja nuk është plotësisht e pranueshme dhe nuk është e obligueshme ligjërisht. Duhet të kthehet besimi në marrëveshje dhe nuk mund të ketë zbatim të pjesshëm”, thotë Jeton Zulfaj,  këshilltar politik i kryeministrit

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde pret që në takimin e radhës, palët të kenë vullnetin të ulen e të diskutojnë për rrugën përpara, pasi konsideron se nuk ka progres në dialog.

“Por, pritjet tona janë që krerët e shteteve të flasin me njëri tjetrin dhe të kenë vullnetin të arrijnë progres, sepse për momentin nuk ka shumë progres, e kuptoj që ka zgjedhje por gjithmonë ka zgjedhje diku. Për qytetarët në rajon dhe sidomos të Kosovës dhe Serbisë është e rëndësishme që të ketë lëvizje përpara dhe jam i sigurt që Lajçak dhe ekipi i ri në Komision duan progres. Në fund, rruga alternative është anëtarësimi i Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian dhe të gjithë e dinë se kjo bëhet nëse ka normalizim dhe pa normalizim nuk ka anëtarësim”, thotë DEK Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë.

Takimi i fundit në nivel kryenegociatorësh u mbajt më 17 shtator, megjithatë edhe ai takim kishte përfunduar pa takim trepalësh dhe pa ndonjë rezultat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA