Gjykata e Durrësit konfirmoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Indrit Allamanin, 48 vjeç, i akuzuar për mashtrim me TVSH.
Vendimi u mor pas seancës gjyqësore të mbajtur për verifikimin e masave shtrënguese të caktuara me vendimin penal të datës 13 tetor. Ndërkohë, masat mbetën të pandryshuara dhe për tre shtetasit e tjerë të përfshirë në çështje, të cilët akuzohen për “moskallëzim krimi.”
Gjyqtari Paulin Çera konfirmoi se masat e sigurimit për të gjithë të akuzuarit do të mbeten në fuqi, pavarësisht përpjekjeve të mbrojtjes për lehtësim të tyre. Përveç Allamanit, i cili është arrestuar, në kërkim janë Indrit Visha, 35 vjeç, Redion Sefa, 22 vjeç, dhe Lovjano Topi, 19 vjeç. Të dyshuarit janë përfshirë në një skemë mashtrimi që i ka shkaktuar shtetit një dëm prej mbi 127 milionë lekësh.
Gjykata miratoi kërkesën e prokurorisë për masat e sigurimit, duke caktuar “arrest në shtëpi” për Albana Pajën dhe “detyrim paraqitjeje” për Brikena Çelën dhe Aldo Myftarin, të akuzuar për moskallëzim krimi.
Sipas Prokurorisë, hetimet kanë zbuluar manipulimin e deklaratave për TVSH, përmes përdorimit të faturave të rreme dhe transaksioneve fiktive.
Prokuroria e Durrësit lëshoi urdhër-arreste për katër biznesmenët që dyshohet se janë përfshirë në veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Top Channel