Për një orë e 10 minuta, E Ngarkuara me Punë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, Nancy Vanhorn, ka mbajtur një takim me kryeprokurorin e SPAK-ut, Altin Dumani.
Mesazhi që bëhet i qartë përmes Ambasadës amerikane në përfundim të vizitës është se edhe SPAK edhe BKH nuk mund të hetojnë të vetëm krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta. E para ku duhet mbështetje është Policia e Shtetit e më tej gjykatat e zakonshme, prokuroritë, zyrat e vetting-ut , inspektoriatet dhe këshillat që bëjnë punën e tyre me pavarësi dhe integritet. Kjo është thelbësore njofton Ambasada amerikane për të mbrojtur përparimin që Shqipëria ka bërë në sundimin e ligjit, një element kyç procesit të integrimit në BE. Përmes një postimi Ambasada dha detaje mbi takimi , për të cilin tregohet se VanHorn vlerësoi arritjet e SPAK në ndjekjen penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta. Rezultati më i fundit i SPAK është ai i mbylljes së hetimeve dhe dorëzimi në gjykatë i dosjes Partizani me të akuzuar ish kryeministrin Sali Berisha.
Vizita e VanHorn vjen në një kohë kur brenda godinës së qelqtë po ndodhin shumë ngjarje. E para po finalizohen disa hetime. E dyta, SPAK po dërgon parashtrime në Gjykatën kushtetuese për Sky Ecc dhe e treta, SPAK gjendet në prag të aftit për hapjen e garës për agjentë të shtesë pranë BKH.
Ditët e fundit, Nancy Vanhorn ka kryer disa takime me njerëzit e drejtësisë, përfshi edhe ai me gjyqtarët kushtetues.
Top Channel