Një përleshje e egër mes të burgosurve ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në burgun e Domokos në Greqi, si pasojë e së cilës shtatë të burgosur janë transferuar për ndihmë mjekësore në spitalin e Lamisë, dy prej të cilëve janë ende të shtruar.

Në zonën ku ndodhet Urgjenca e Spitalit të Lamisë ka mbretëruar paniku, pasi janë transferuar të gjithë të plagosurit, ku njëri prej tyre po trajtohet në gjendje jashtëzakonisht të rëndë.

Ngjarja ka ndodhur në një krah të katit përdhes të Qendrës së Paraburgimit mes shqiptarëve dhe pakistanezëve dhe për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë në trup dhe në kokë një 32-vjeçar pakistanez. Ky i fundit kishte plagë me thikë në bark.

Gjithashtu, gjashtë personat e tjerë që u dërguan në spitalin e Lamisë, kishin të nxira në pjesë të ndryshme të trupit dhe disa prej tyre kishin shenja nga një send i mprehtë. Një tjetër 30-vjeçar pakistanez ka mbetur i shtruar në repartin e projektuar posaçërisht në Spitalin e Përgjithshëm Lamia.

Si rezultat i hetimeve u arrestuan 6 të burgosur, 3 me origjinë shqiptare, 2 grekë dhe një pakistanez, të përfshirë në sulm. Gjithashtu, kontrollet u shtrinë edhe në qelitë e autorëve, në të cilat sipas informacioneve u gjetën dhe u sekuestruan thika të improvizuara dhe një levë hekuri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA