Kreu i grupit Parlamentit të PD, Gazment Bardhi, në një postim në Facebook ka ndarë pamje nga incidenti mes efektivit të FNSH dhe deputetit Luan Baçi.
Në mbishkrim, Bardhi thotë se deputetët janë kërcënuar me jetë dhe se sipas tij këto veprime nuk kanë lidhje me një shtet që pretendon anëtarësimin në BE.
“Kurrë në historinë e Shqipërisë nuk ka ndodhur që deputetët të rrethohen nga forcat speciale të Policisë së Shtetit brenda ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë.
Kurrë gjatë një seance plenare nuk ka ndodhur që forcat speciale të Policisë së Shtetit të futen në ambientet e brendshme të Kuvendit dhe të pengojnë lëvizjen e deputetëve. Kuvendi sipas ligjit dhe Rregullores së Kuvendit ka forcat e veta të sigurisë, që janë pjesë e Gardës së Republikës. Kurrë nuk ka ndodhur që një punonjës policie brenda ambienteve të Kuvendit të kanosë me jetë një deputet.
Pavarësisht debateve të përhershme dhe tejkalimeve të kompetencave herë pas here nga Garda e Republikës, sot ishin pikërisht punonjësit e Gardës që mbrojtën jetën e deputetëve të kanosur nga Policia në ambientet e brendshme të Kuvendit.
Sot Kuvendi i Shqipërisë u shndërrua në fytyrën e vërtetë të Edi Ramës.
Shteti që kërcënon brenda Kuvendit me polici deputetët e opozitës, nuk ka asnjë lidhje me nje shtet që pretendon të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe asnjë lidhje me parimet që udhëheqin një vend anëtar i NATO-s”, ka shkruar Bardhi.
Top Channel