Kryeministri polak Donald Tusk ka propozuar një zgjidhje ekstreme për parandalimin e emigrantëve që kalojnë në mënyrë të parregullt kufirin midis Bjellorusisë dhe Polonisë.
Kreu i qeverisë në Varshavë planifikon të pezullojë fare të drejtën për azil. Por për këtë, ka hasur në kundërshti jo vetëm nga opozita, por edhe brenda vetë kabinetit të tij.
“Nëse një person kalon ilegalisht kufirin polak pasi është sjellë atje nga shërbimet bjelloruse, nëse ky është një element i luftës hibride, rojet kufitare polake nuk janë të detyruara të pranojnë kërkesat për azil të këtyre njerëzve”. Ky është teksti i ligjit të planifikuar nga kryeministri i Polonisë Donald Tusk.
Këtë fundjavë, ai njoftoi gjatë një kongresi të partisë së tij, Koalicionit Qytetar liberal-konservator, se vendi i tij po shqyrtonte pezullimin e përkohshëm të së drejtës për azil.
“Pezullimi i së drejtës për azil në kufi është një masë e përshtatshme për të parandaluar kalimet e paligjshme të kufirit nga Bjellorusia e cila së bashku me Rusinë, po tentojnë të sjellin në Poloni klandestinë nga Azia dhe Afrika në përpjekje për të destabilizuar vendin. Në këtë betejë të tyre, ato po përdorin të drejtën për azil dhe kjo nuk ka të bëjë fare me të drejtat e njeriut”, tha Tusk.
Gjatë mbledhjes së kabinetit sakaq u shfaqën tensione mes partnerëve të koalicionit të qendrës së majtë të Tuskut mbi çështjen e azilit. Katër ministrat e aleancës së majtë Lewica shprehën një mendim të ndryshëm, tha ministri i Digjitalizimit Krzysztof Gawkowski për portalin Onet.pl.
“Ne besojmë se është e nevojshme të ashpërsohen procedurat për emigrantët e paligjshëm, por nuk duam që elementë të tillë si pezullimi i së drejtës për azil të figurojnë në strategji. Prandaj nuk e dimë nëse do të dalë një shumicë në Parlament për modifikimin e planifikuar të politikës së emigrimit”, theksoi ai.
Top Channel