Kryepolici që bashkëpunonte me El Chapo-n, SHBA dënon me 38 vite burgim ish-kreun e sigurisë publike të Meksikës

17/10/2024 16:15

Ish kreu i sigurisë publike të Meksikës Genaro García Luna, u dënua me 38 vite burg në SHBA për mitëmarrje nga karteli famëkeq i drogës Sinaloa, të drejtuar nga Joaquin Guzmán, i njohur ndryshe si El Chapo.

Në vendimin e gjykatës, që shoqërohet edhe me një gjobë prej 2 milionë dollarësh, thuhet se Luna u bë palë me trafikantët e narkotikëve, kundër të cilëve duhet të luftonte.

Dënimi erdhi në vazhdën e një procesi gjyqësor, gjatë të cilit ndaj Garcia Lunës u ngritën aktakuza, përfshirë angazhimin në aktivitete kriminale, konspiracionin për të shpërndarë kokainë nëpër botë dhe deklarata të rreme.

Prokurorët kishin kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për ish ministrin meksikan të sigurisë publike, i cili e mbajti këtë post nga viti 2006 deri në 2012 dhe u shpall fajtor në shkurt 2023.

Në aktpadi thuhet se ai mori miliona dollarë në këmbim të mbrojtjes së anëtarëve të kartelit të Sinaloas dhe ndihmoi dërgimin e  ngarkesave me kokainë drejt SHBA-së.

Veprimet e tij, sipas prokurorëve, rezultuan në vdekjen e  mijëra qytetarëve në SHBA e Meksikë. Ky rast është një nga më të rëndësishmit në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë në Meksikë, pasi 54-vjeçari konsiderohej një nga zyrtarët kryesorë të sigurisë që duhet të ndihmonte në luftën kundër karteleve të drogës, por në të vërtetë, ai bashkëpunoi me ta për përfitime personale, duke tradhtuar në mënyrë flagrante besimin publik.

Luna konsiderohej një ndër aleatët kryesorë të Presidentit Felipe Calderón, që i shpalli luftë karteleve të drogës në vend, ndërsa loja e tij e dyfishtë u përfshi edhe në skenarin e serialit “El Chapo” të Netflix.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA