Joe Biden ka përjashtuar Giorgia Melonin nga samiti i kufizuar për Ukrainën i mbledhur me aleatët Emmanuel Macron , Olaf Scholz dhe Keir Starmer, gjë e cila ndodh për herë të dytë, një takim i cili do të mbahet të premten në Berlin.
Takimi me Shtetet e Bashkuara, Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar ishte thirrur tashmë javën e kaluar, pa Italinë. Më pas, uragani Milton dhe lodhja e presidentit amerikan 81-vjeçar, kishte shtyrë udhëtimin e Biden në kryeqytetin gjerman, rrjedhimisht edhe samitin.
Të mërkurën erdhi konfirmimi që Roma ishte përsëri jashtë këtij takimi, pikërisht në vitin në të cilin drejton G7.
Gjithsesi, Meloni u shpreh se nuk do të ishte pjesë e këtij takimi pasi do të udhëtonte për në Liban, të cilin e quajti si prioritetin e saj kryesor.
“Nuk kam mundur të marr pjesë në asnjë rast, sepse do të jem në Liban. Kështu që për momentin prioriteti im është ky udhëtim”.
La Repubblica e cilëson këtë si një mesazh të qartë armiqësor: “Partnerët takohen për të diskutuar mes tyre për Ukrainën, unë shkoj në terren për të arsyetuar me protagonistët e krizës libaneze të interesuar”.
Natyrisht, Shtetet e Bashkuara dhe Franca po lëvizin gjithashtu për të kontrolluar konfliktin në Lindjen e Mesme. Dhe ata negociojnë me Arabinë Saudite, kundërshtarin e betuar të Iranit.
Mosmarrëveshje dhe konkurrencë intensive, të cilat do të shfaqen sërish të enjten edhe për dosje të tjera, kur Meloni do të mbledhë 15 liderë në favor të asaj që ajo e përcakton si “modelin e Shqipërisë” për emigrantët për të sjellë diskutimin në Këshillin e BE-së.
Një javë më parë ajo kishte bërë që data e samitit (më vonë e anuluar) të përkonte me vizitën e Voldymyr Zelensky në Romë.
Këtë herë, kryeministrja planifikon një mision në Liban dhe Jordani. Dhe është caktuar për të premten e 18 tetorit, jo rastësisht.
Top Channel