A duhet licensuar botoksi në Shqipëri?! Mjekët shpjegojnë mënyrat e përdorimit të tij: Jo vetëm për arsye estetike

17/10/2024 19:57

Teksa disa drejtues të salloneve apo klinikave që ofrojnë trajtime estetike janë arrestuar e të tjerë janë në kërkim, i gjithë tregu i këtyre shërbimeve është tronditur pasi nuk ka klinikë që nuk ofron botox e filler, të paktën në Tiranë.

Dhe kjo toksinë, e cila ka rreth 10 vjet që përdoret nga vajzat dhe djemtë në vend, nuk është e regjistruar në Shqipëri, por ka hyre me çanta kontrabandë. Ishte një operacion i policisë që u fokusua në 32 subjekte, të cilat furnizohen me një lloj botoxi të quajtur “Nabota” me origjinë nga Koreja, por që hyn nga pika doganore e Morinës dhe një lloj tjetër, i quajtur Disport, i cili është prodhim turk dhe hyn nga aeroporti i Rinasit.

Në listën e të kërkuarve janë emra të klinikave të njohura që kanë ofruar këtë shërbim si Skerdilajd Faria, Luada Caushaj, Aida Troka, Jondia Zaçe, Eni Shemaj.

Por, a duhet licensuar Botoxi në Shqipëri, pasi tanimë përveç si destinacion turistik bregdetar njihet edhe  turizmi estetik, ku futen pikërisht këto trajtime, ai dentar apo dhe mbjellja e flokëve.

“Ne si profesionistë e kërkojmë licensimin e botoksit, sepse nuk e përdorim vetëm për arsye estetike. E përdorimin edhe për arsye patologjike, për djersitjen e shtuar, e përdorimin edhe për korrigjimin e paralizave të vogla faciale. Ose për trajtimin e migrenës. Duke qenë se botoksi është një toksinë, është e rrezikshme, duhet aplikuar siç duhet”, shpjegon mjekja dermatologe Enkeleda Shodrani.

Mjekët thonë se ky treg duhet rregulluar, pasi nuk mund të injektojnë botox nëpër parukeri apo jo profesionistët.

Por, çfarë ndodh nëse nuk transportohet në boxe akulli botoksi ?

“Botoksi duhet transportuar në mënyrë të rregullt, me akull, duhet mbajtur në frigoriferë sopecifikë. Në të kundërt, penalizon faktin që fuqia e toksinës mund të bjerë. Si rrjedhim është jo shumë i efektshëm në aplikim, por jo se shkakton efekte anësore”, thotë Shodrani.

Por, a ishte ky aksion i policisë i rastësishëm apo i qëllimshëm, kjo mbetet për t’u parë. Top Channel disa herë ka raportuar në lidhje me trendin e vajzave për të injektuar botox  dhe demet që u shkaktohen nga jo profesionistët për shkak të çmimeve të lira, si dhe mos ushtrimin e kontrollit nga Inspektorati Shëndetësor shtetëror nëpër këto klinika.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA