Përmes shortit, Flojera Davidhi u zgjodh si gjyqtarja që do të shqyrtojë në gjykim paraprak ish-kryeministrin Sali Berisha, kundër të cilit SPAK dorëzoi 333 fashikuj hetimorë.
Bashkë me ish funksionarin që akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim janë si të pandehur edhe katër persona të tjerë si Jamarbër Malltezi dhe biznesmeni Fatmri Bektashi i akuzuar si personi që i korruptoi dhe si një pastrues parash.
SPAK i thotë gjykatës përmes akteve të hetimit se si të akuzuar janë edhe tre shoqëri tregtare që u përdorën në skemën e pastrimit të parave. Në një përgjigje zyrtare për Top Channel zyra e shtypit konfirmoi se një fraksion i dytë i dosjes Partizani është ende nën hetim. Burimet pranojnë se në episodin e veçuar po gjurmohen të dhënat mbi pasuri të padeklaruara.
Brenda dhjetë ditësh duhet që gjyqtarja Davidhi të caktojë një seancë paraprake.
Tjetërsimi i sport klub partizanit i denoncuar prej 2020 u finalizua me vitin e kaluar me masa sigurie edhe ndaj ish kryeministrit Sali Berisha, i cili nga dhjetori vazhdon nën arrest shtëpiak. Në fashikujt e SPAK numërohen në këtë hetim qindra shkresa të sekuestruara dhe dëshmi ish ministrash e ish funksionarësh që kanë dhënë shpjegim mbi vendimmarrjet e tyre për këtë privatizimin e partizanit. Sipas ligjit brenda 30 ditësh nga depozitimi i kërkesës së SPAK duhet që gjyqtari paraprak të dalë me një vendim, për kalimin ose jo në gjykim themeli të çështjes.
Por kjo mbetet e vështirë të ndodhë brenda 30 ditësh jo vetëm për shkak të numrit të lartë të të akuzuarve por gjithashtu dhe të volumit të lartë të fashikujve.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, pasi ka përfunduar hetimet në kuadër të procedimit penal nr. 287, të vitit 2020, ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në datë 15.10.2024), kërkesën për dërgimin e çështjes për gjykim, në ngarkim të të pandehurve si vijon:
Sali Berisha, akuzuar: Për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal;
Jamarbër Malltezi, akuzuar për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;
Fatmir Bektashi, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Pastrimi të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;
Xhimi Begeja, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;
Andia Pustina, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;
Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Studio Pustina sh.p.k. akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal;
Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Homeplan sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i parë i Kodit Penal;
Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Kontakt sh.p.k., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i parë i Kodit Penal.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Top Channel