Inside Story/ Piratimi i BBVIP dhe filmave, drejtori artistik i TCH zbulon dëmet kolosale që pëson industria e ndershme 

16/10/2024 21:50

Drejtori artistik i Top Channel dhe producenti Ledion Liço tregon se pirateria është një problem i shtirë në kohë, e veçanërisht në produksione të mëdha si Big Brother apo filma.

“Tek ne haset shumë si problem, në TCH e kemi ndjere prej më shumë se dy dekadash. E kemi ndjerë po ashtu gjatë dy viteve të fundit me piratimin e shumë programeve, mbi të gjitha Big Brother, me prodhimin e filmave të cilët kanë qenë të prodhuar ose të distribuuar nga TCH Films”, drejtori artistik i TCH.

Top Channel Films investoi shumë për t’i dhënë publikut prodhime kinematografike cilësore. Përpos kasteve me aktorët më të mirë, në funksion të prodhimeve cilësore u vunë teknologjia e fundit teknike. Por, gjithë mundi dhe investimi nuk u kthye për prodhuesin.

“Unë mund të them që vetëm vitin e kaluar nga filmat që Top Channel Films prodhoi apo distribuon dëmi financiar që ka ardhur nga pirateria përllogaritet të jetë qindra mijëra euro. Dhe për më shumë se një titull. U piratua filmi ‘Në Kuadër të Dashurisë’, u piratua filmi ‘5 Herë Jo’, filmi ‘Guxim’ po ndodh e njëjta gjë. Filmat kanë mënyra se si mund të shihen duke paguar një përqindje shumë të vogël, se nuk po flasim për përqindje të mëdha sa për t’i dhënë mundësinë këtyre prodhuesve që nesër të bëjnë një film tjetër”, shtoi ai.

Ajo që vlen të theksohet për opinion publik është fakti se pirateria është vjedhje dhe duhet të dënohet si e tillë.

Nëse të gjithë e shohin në këtë formë, e kuptojnë dhe e pranojnë si të tillë atëherë mund të luftohet më tepër ky fenomen. Të parët që duhet ta refuzojnë janë qytetarët. Shteti mund të gjejë forma që veç goditjes së piratëve, të kompensojë financiarisht prodhuesit e filmave dhe përmbajtjeve televizive.

Këto para, mund të dalin nga gjobat që u vilen abuzuesve. Pra, disa masa zinxhir.

“Në momentin që nuk e paguajmë por e vjedhim dhe mendoj që më shumë se termin pirateri, e cila mbase edhe për shkak të kinematografisë dhe letërsisë tingëllon ekzotike, piratët janë gjithmonë interesantë, ekzotikë, personazhe të mbinatyrshme. Do të themi që këto janë hajdutë, janë vjedhës dhe nëse do të vidhnim çdo gjë që prodhohet eventualisht nga këta njerëz, atëherë këta njerëz do të mbeten pa punë”, u shpreh Ledion Liço.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA