Inside Story/ Ja si shpërndarësit e internetit ndihmojnë piraterinë, a kemi kapacitet për të luftuar abuzimin?

16/10/2024 22:25

Një tjetër formë që përdoret për të piratuar programe është nëpërmjet ISP, Ofruesi i Shërbimit të Internetit, të cilët kur shpërndajnë internetin në familje ofrojnë edhe kanale të tjera të piratuara si pjesë e paketës së tyre.

Numri i ISP-ve është mjaft i lartë në vendin tonë nëse e krahasojmë më numrin e popullsisë.

Ndërhyrja e policisë nuk është efikase në luftën kundër kësaj forme piraterie pasi i mungon ekspertiza, burimet njerëzore të kualifikuara dhe fokusi tek një çështje e tillë.

Uniformat blu mund të ndërhyjnë në përfundim të aksioneve parandaluese pasi organet kompetente dhe të specializuara të kenë kryer procedurat ligjore dhe të kenë konstatuar paligjshmërinë.

“Shkohet në dy drejtime sa i përket kapjes së piraterisë sidomos asaj online. Është kapja automatike që ndodh me të gjitha platformat Google, Youtube, me Metaverse, Facebook, Instagram dhe TikTok kur ti ke realizuar një material, automatikisht e marrin platformat dhe çdo moment që piratohet nga faqe të ndryshme e kap automatikisht dhe e bllokon.

Një tjetër gjë që kompanitë si TCH kanë shtuar jo më larg se dy vitet e fundit, kanë stafe të cilat merren gjatë gjithë kohës manualisht duke krehur apo situr hapësirat e WEB dhe rrjete sociale për të kapur të gjitha këto faqe, të cilat janë duke piratuar qoftë materiale televizive qoftë materiale filmike që tani mund të themi që është një peshë plus që nuk ka qenë më përpara”, u shpreh drejtori artistik i TCH.

Mënyra më efikase për të luftuar këtë lloj piraterie që ka nisur të aplikohet është ndërprerja e vazhdueshme e programeve të piratuara tek klienti. Kjo dekurajon konsumatorin dhe e orienton drejt kompanive të licensuara që ofrojnë shërbime me garanci, siguri e mbi të gjitha të ligjshme. Pra, nëse keni një pajisje të tillë në banesat tuaja dhe sinjali ju ndërpritet herë pas here, duhet të kuptoni se ai shërbim që keni paguar është i jashtëligjshëm.

“Ajo që të vjen keq është që në shumë raste publiku që konsumon materiale të piratuara nuk është edhe aq i ndërgjegjshëm që është duke bërë një vepër penale, një vepër të dënueshme, edhe pse me ligjet shqiptare nuk dënohet konsumatori fundor i një materiali të piratuar dënohet vetëm ai që piraton materialin, automatikisht është duke i bërë një dëm të pallogaritshëm prodhuesit të këtyre materialeve”, tha Ledion Liço.

Në këtë situatë duhet synuar bllokimi i aksesit në këto serverë gjatë kohës apo programeve që kanë shikueshmërinë më të lartë. Duke ditur natyrën dinamike të shërbimeve pirate është e pritshme që ata të ndryshojnë IP sapo të kuptojnë problemet. Prandaj, duhet ngritur një mekanizëm i posaçëm që të bëjë bllokim të shpejtë dhe fleksibël.

“Problemi kryesor në rastin e DigitAlb është transmetimi live në mënyrë pirate i ndeshjeve sportive qe ka jo vetëm DigitAlb por edhe platforma të tjera”, tha Sokol Gjosha.

Pasi një OSHMA, Ofrues shërbimi mediatik audioviziv, konstaton një transmetues pirat në internet njofton zyrtarisht me e-mail AMA dhe AKEP. Njëkohësisht edhe ISP-të e mëdha që të bëjnë të mundur, bllokimin e linjës. Kështu, transmetuesi nuk mund të marrë asnjë linjë tjetër ose rezervë në çastin e bllokimit.

“Është e vështirë që AMA me numrin e kufizuar të punonjësve të dalë në terren në çdo fundjavë, ditë të shtuna kryesisht të diela por është e vështirë të dalin në të gjithë Shqipërinë dhe nuk kanë numrin e nevojshëm të punonjësve apo pajisjet e domosdoshme”, u shpreh Sokol Gjosha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA