Inside Story/ Brenda pikave të piratëve në Maqedoninë e Veriut, ja si vidhen prodhuesit shqiptarë, policia fqinje mbyll sytë

16/10/2024 22:43

Në vendet e rajonit, në trevat shqipfolëse, konstatohen të njëjtat abuzime si në Shqipëri.

Në Maqedoninë e Veriut, identifikohen së paku dy subjekte konkrete që piratojnë programet shqiptare, subjektet “Big Sat” dhe “Nafi & Beko”.

Inside Story ka siguruar faturat e blerjeve për të dy subjektet të cilat ju mund t’i shikoni në ekran.

Rasti flagrant ndodh në Gostivar ku jo më larg se 30 metra nga komisariati i policisë operojnë dy pika shitjeje. Materialet e piratuara shiten ditën për diell. Të gjitha këto abuzime, janë faktuar përmes kamerave të fshehta. Këtu, jemi në subjektin Bigsat.

Kjo është fatura e siguruar pas blerjes së simuluar të pajisjes. Është e qartë se nga bisedat, pajisja që subjekti ofron, përmban të gjitha kanalet e platformave shqiptare me pagesë, kanalet e Digitalb, ato të SuperSport apo platformave të tjera. Për këto transmetime, subjekti pirat nuk ka asnjë aprovim apo kontratë me DigitAlb që gëzon të gjitha të drejtat.

E njëjta situatë edhe në subjektin e dytë “Nafi & Beko”. Sërish ajo që na ofrohet në blerjen e simuluar janë kanale dhe programe për të cilat subjekti pirat nuk ka asnjë të drejtë apo aprovim nga DigitAlb.

Kjo është fatura konkrete për blerjen e realizuar. Një situatë që cënon rëndë prodhuesin.

Së fundi, ka pasur denoncime nga subjektet e dëmtuara, madje policia ka kryer kontrolle dhe shoqërime. Por, sapo kanë lënë ambientet e komisariatit, pas 24 orësh, të njëjtët persona i janë rikthyer aktivitetit të tyre duke shitur sërish abonime IPTV me kanale që transmetojnë programe të piratuara. Pra, në mungesë të një kontrate aprovimi nga platforma serioze shqiptare që gëzonte të drejtat mbi ato programe.

Në këto kushte, natyrshëm lind pyetja çfarë masash merr shteti i Maqedonisë së Veriut për këto raste që godasin interesat tregtare të kompanive të një shteti fqinj? Kush i mbron shkelësit e ligjit që guxojnë të shesin abonime ilegale pranë komisariatit të policisë?

Referuar raportimeve në mediat maqedonase, është konfirmuar aksioni policor te subjektet private. Madje, në njërin prej tyre u sekuestrua një fletore ku ishin listuar plot 2800 klientë që u ishin shitur programe të piratuara.

Ky raportim që shihni i përket datës 2 nëntor 2023. Abuzimi ka vijuar edhe pas aksionit. Kjo konfirmohet nga blerjet tona të simuluara që janë realizuar edhe pas asaj date siç mund ta shihni në gjurmën që lënë vetë kamerat me orën dhe datën e saktë.

Pas këtyre fakteve që ne siguruam, iu drejtuam Policisë së Gostivarit me një kërkesë për informacion, por, deri në transmetimin e këtij dokumentari nuk morëm asnjë përgjigje. Këto materile që ne servirëm, tashmë janë prova publike dhe mbetet të shihet se si do të reagojnë isntitucionet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA