Një tubim parazgjedhor i kandidatit republikan, Donald Trump në godinën e bashkisë në periferi të Filadelfias u kthye papritur në një koncert të improvizuar.
Kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë e nisi takimin duke iu përgjigjur disa pyetjeve, por kur dikush u ndje keq në sallë, ndërhyri një mjek për t’i dhënë ndihmën e parë shëndetësore dhe Trumpi e ndërpreu bashkëbisedimin me simpatizantët e pranishëm.
Ndërkohë, pak pas kësaj, edhe një tjetër person pësoi një krizë çka bëri që republikani ta ndalonte sërish diskutimin e drejtuar nga guvernatorja e Dakotës së Jugut, Kristi Noem. Trumpi atëherë tha se nuk do t`i përgjigjej më pyetjeve, dhe se njerëzit kishin nevojë të qetësoheshin, ndaj kërkoi të vendosej “Ave Maria” , në variantin e interpretuar nga Luciano Pavarotti.
Kënga u lëshua shpejt përmes altoparlantëve, që ishte sinjal i zakonshëm se Trumpi kishte përfunduar dhe po përgatitej të largohej. Megjithatë, këtë herë ai qëndroi në skenë. “Askush nuk largohet. Çfarë po ndodh?”, pyeti ai, teksa muzika nuk ndaloi për gati 40 minuta. Trump dhe Noem u pajtuan më tej se në fakt, në sallë ishte nxehtë dhe republikani pyeti nëse kishin ajër të kondicionuar.
“Ata ndoshta nuk mund ta përballojnë, zotëri, me këtë ekonomi që kemi”, tha me shaka guvernatorja. Paskësaj ngjarjeje, rivalja e tij demokrate Kamala Harris e thumboi me një postim në rrjetet sociale ku shkruante se “shpresoj që ai të jetë mirë”.
Top Channel