15 tetori është dita ndërkombëtarë e shkopit të bardhë, ndaj dhe shoqata e të verbërve të Shqipërisë zhvilloi një marshim sensibilizues, për të treguar rëndësinë e shkopit të bardhë si simbol i pavarësisë për të verbrit.
Këtë marshim e shfrytëzuan për të treguar sfidat e përditshme me të cilat ata përballen por dhe për të treguar kërkesat e tyre që lidhen me lëvizjen e lirë, përshtatjen e librave për nxënësit dhe studentët e verbër për një arsim të barabartë, punësim të denjë dhe të qëndrueshëm si dhe indeksim të drejtë të Kempit.
Presidenti i Shoqatës së të verbërve të Shqipërisë Jonit Ferhati tha: “Një i verbër sot për shoqëruesin e tij paguhet vetëm 150 mijë lek të vjetra, që normalisht që askush nuk të shërben në këtë funksion, jo sepse nuk do por sepse ka nevojë për tu ushqyer”.
Përballimi i jetesës në verbëri ka vështirësi të mëdha. Shkëlqim Disha prej 34 vitesh jeton pa dritë në sy. Ishte në moshën 21-vjeçare kur humbi shikimin. Mbështetjen më të madhe ai e gjen tek bashkëshortja, e cila e shoqëron në çdo hap.
“Nuk kam pasur mundësi punësimi, kam marr përgjigjen e arrogancës që nuk kemi mundësi punësimi për personat me aftësinë tuaj. Unë jetoj vetëm nëpërmjet kempit qe marr, 14 mijë lek të reja. Shoqëruese kam bashkëshorten, e kam pasur gjithmonë krah dhe simbol të jetës sime.”
Në këtë ditë të Shkopit të Bardhë, Shkëlqimi kërkon që të kuptohet dhe mbështetet nga shoqëria dhe institucionet, që dhe ai të ndjehet i barabartë: “Jetoni një moment si ne, sot është kohë me diell, unë e ndjej që ka diell por nuk shoh asnjë”.
Në të gjithë Shqipërinë janë rreth 13.500 të verbër.
Top Channel