Procesi i Berlinit hyn në vitin e 11-të: Ballkani Perëndimor, një dekadë në dhomën e pritjes!

14/10/2024 07:53

Liderë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të disa shteteve perëndimore mblidhen sot në kryeqytetin e Gjermanisë me ftesë të kancelarit Olaf Scolz, për të diskutuar objektivat e radhës në kuadër të Procesit të Berlinit.

Kjo nismë tashmë ka hyrë në vitin e 11-të. Ajo u krijua me qëllimin të lehtësonte rrugëtimin e vendeve të rajonit drejt bllokut europian, por një dekadë më vonë, ata janë ende në dhomën e pritjes, të penguar më së shumti për shkak të konflikteve me njëri-tjetrin.

Dy vjet më parë, u duk sikur gjërat do të përmirësoheshin: Nëntorin e vitit 2022, krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia – nënshkruan tri marrëveshje mobiliteti, ku ranë dakord për lëvizje të lirë me karta identiteti, njohjen e diplomave universitare dhe disa kualifikime profesionale.

Por zbatimi i tyre marrëveshjeve ka ngecur. “Kjo nuk është premtimi i vetëm i pambajtur i Procesit të Berlinit” thotë Aleksandra Tomaniç drejtuese e European Fund for the Balkans, fondacion rajonal me seli në Beograd. “Dhjetë vjet pas themelimit të tij, Procesi i Berlinit lë ende një përshtypje të improvizuar,” thotë ajo. Edhe pse ka formate dhe takime të shumta, mungojnë rezultatet konkrete dhe shumë nga marrëveshjet e arritura nuk janë zbatuar. “Ngjashëm me procesin e zgjerimit të BE-së, dështimi më i madh mbetet dimensioni politik i bashkëpunimit, i cili është lënë pas dore,” thekson Tomanic.

Procesi i Berlinit u iniciua në vitin 2014 me nismën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kishte shpallur më parë një “pauzë zgjerimi”. Merkel, e cila ishte e shqetësuar se kjo do të sillte destabilizimin e rajonit, i ftoi qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një konferencë në Berlin. Pjesëmarrës ishin gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe dhjetë vende të BE-së: Përveç Gjermanisë, merrnin pjesë edhe Austria, Franca, Italia, Polonia, Bullgaria, Greqia, Kroacia dhe Sllovenia, si edhe Britania e Madhe, e cila ishte pjesë e BE-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA