Një arritje të merituar të Shqipërisë e konsideron kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali çeljen e grup-kapitujve të parë të Negociatave, gjatë konferencës Ndërqeveritare me BE-në që pritet të mbahet nesër në Luksemburg.
Këto deklarata kryeparlamentarja Spiropali i bëri gjatë fjalimit të mbajtur në sesionin e 149 të Asamblesë së Unionit Ndër-Parlamentar që po zhvillon punimet në Gjenevë.
“Shqipëria është vendi i parë në grupin e vendeve kandidate që hap negociatat e anëtarësimit, bazuar në metodologjinë e re të anëtarësimit në BE. Parlamenti ynë është i angazhuar fort për të ruajtur lidershipin, për të garantuar legjitimitetin demokratik dhe gjithëpërfshirjen e procesit”, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit theksoi ndër të tjera se Shqipëria është e vendosur të mbrojë demokracinë prej dizinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja.
“Sfidat po shtohen edhe për shkak të rrezikut të sulmeve kibernetike, të cilat vijnë si rrjedhojë e qëndrimeve të vendosura e të qarta të Shqipërisë kundër terrorizmit. Shqipëria i ka përballuar dhe do ti përballojë me sukses këto rreziqe me ndihmën e partnerëve tanë”, deklaroi ajo.
Gjatë pjesëmarrjes në sesionin e 149 të Asamblesë së Unionit Ndër-Parlamentar në Gjenevë, Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, u takua me Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, z. Numan Kurtulmuş, Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Australisë, z. Milton Dick, dhe Kryetaren e Parlamentit të Azerbajxhanit, znj. Sahiba Gafarova.
Top Channel