EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Liria politike është e para, Gjykata e Lartë duhet ta mbrojë atë

14/10/2024 19:16

Ervis Iljazaj

Nesër Gjykata e Lartë do të shqyrtojë çështjen e dënimit të Ervin Salianjit me një vit burg për ‘’kallëzim të rremë publik’ nga Gjyka e Apelit.
Është një çështje e cila hapi shumë diskutime në opinion publik shqiptar. Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse Salianji është personi i parë i cili dënohet me burgim në kuadër të një beteje politike dhe për arsye të aktivitetit të tij politik.

Ai nuk u dënua as për korrupsion, as për vjedhje dhe as për evazion fiskal, por thjesht për një denoncim që bëri publik në emër të Partisë Demokratike për vëllain e ish ministrit të Rendit, Fatmir Xhafaj. Në këtë kuptim, burgosja e tij krijoi një lloj empatie në publik sepse ishte hera e parë në 34 vite që një deputet dënohej për një çështje të tillë. Aq me tepër në një kontekst politik si ai shqiptar, ku akuzat publike midis palëve, denoncimet midis kundërshtarëve politikë janë një normalitet. Madje, këto denoncime publike kanë shkuar deri në akuza për vrasje, apo dhe për vrasje të shumëfishta.

Është kulturë politike shqiptare që retorika ka kaluar edhe kufijtë e ligjshmërisë. Rasti i Salianjit është ndoshta akuza më e ‘’lehtë’’ që i bëhet një kundërshtari, duke parë atë me çfarë na ka mësuar realiteti politik shqiptar.

Në këtë histori është në lojë aktiviteti politik dhe liria që duhet ta karakterizojë atë. Sigurisht liria politike nuk është e pakufijshme. Por gjithsesi dënimi me burg i Ervin Salianjit nuk ka dyshim që ishte shproporcional duke marrë parasysh rrethanat, kontekstin dhe parimet që janë në lojë.

Ervin Salianji u dënua me argumentin se ka prodhuar një fakt të rremë. Por nga leximi i dosjes nuk ka asnjë fakt që vërtetohet që ai është iniciatori, ka prodhuar apo ka paguar për prodhimin e atij regjistrimi. Maksimumi Ervin Salianji mund të jetë fajtor për publikimin e një fakti të prodhuar. Faji i tij i vetëm, nëse vërtet ka ndonjë faj, është publikimi i videoregjistrimit që nuk u kujdes ta provonte nëse ishte i vërtetë apo jo. Por kurrsesi nuk ka asnjë provë që të tregojë se ka qenë ai që e ka prodhuar këtë fakt. Le të kujtojmë se Ervin Salianji në atë kohë ishte sekretar për denoncimet publike në PD. Pra, roli dhe funksioni i tij politik ishin pikërisht denoncimet politike.

Por përtej çështjeve themelore të vendimit, këtu ka një çështje edhe më të rëndësishme. Është në lojë liria politike, e cila është kusht thelbësor për demokracinë dhe ruajtjes së interesit publik.
Publikimi i tij është pjesë e natyrës së politikës shqiptare dhe aktivitetitit të tij politik. Sa herë në betejën politike shqiptare janë publikuar dokumenta, denoncime apo video ku akuzohen kundërshtarët dhe asnjëherë ato nuk janë provuar nëse janë të vërteta apo jo? Dhe askush për këtë nuk është dënuar, aq më tepër të dënohet me burg.
Për një arsye të thjeshtë, sepse ndonjëherë për hir të lirisë politike dhe interesit publik që ajo kërkon të mbrojë lejohen dhe tejkalime. Edhe nëse është e vërtetë që ai video-regjistrim është i krijuar, edhe pse dyshimet janë të mëdha nëse është i tillë ose jo, liria politike është shumë e rëndësishme sa që duhet mbrojtur me çdo kusht, me përjashtim të ndonjë rasti ekstrem. Ky rast nuk mund të konsiderohet i tillë. Sa herë që është vënë në balancë liria e shprehjes, liria politike dhe aktivteti polik me ndonjë tejkalim të tij, çdo gjykatë është shprehur në favor të lirisë së shprehjes.

Prandaj Gjykata e Lartë nesër me anë të vendimit të saj ka një rast unik për të mbrojtur lirinë politike. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për rastin Salianji apo për për emra të përveçëm, por për një parim që Shqipëria e ka fituar me mund e me djersë dhe nuk mund ta humbasë. Nesër Gjykata e Lartë do të vendosë nëse do ta garantojë lirinë politike dhe garën brenda asaj, apo do ta kufizojë atë, gjë e cila do të ketë një ndikim të madh për të ardhmen e hapësirës publike dhe garës demokratike në interes të publikut. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një vendim që bën që personi në fjalë humbet mandatin e deputetit dhe përfaqësinë politike të njerëzve që e kanë votuar.

Të dënohesh me burg dhe të humbasësh mandatin e deputetit për një betejë politike publike, sigurisht që është një vendim ekstrem që nuk i bënë mirë as drejtësisë dhe aq me tepër demokracisë. Kur mendon pastaj që ka deputetë si rasti i Xhaçkes që akuzohen për përfitime materiale nga ky post dhe shkelje të Kushtetutës dhe vazhdojnë të kenë mandatin, atëherë absurdi kalon në nivele të paimagjinueshme.

Një deputet që humbet mandatin se ka bërë një denoncim publik në kuadër të betejës politike dhe në emër të partisë së tij me qëllim mbrojtjen e interesit publik, dhe një që vazhdon ta mbajë edhe pse akuzohet se ka përfituar financiarisht nga ky mandat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA