“Bukuroshja e fjetur”/ Performanca e rrallë e balerinëve të Varnës në Durrës

13/10/2024 20:11

Baleti klasik “Bukuroshja e fjetur” me muzikë të Tchaikovskit dhe një koreografi mahnitëse u shfaq të dielën në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Trupa e Baletit të Teatrit Shtetëror të Varnës solli para artdashësve të shumtë një performancë të rrallë, ku princat, princeshat dhe magjistarët ringjallen përmes lëvizjeve plot elegancë të balerinëve.

Shfaqja erdhi si një dhuratë për qytetin bregdetar dhe një mënyrë për të promovuar artin e bukur të baletit dhe muzikës klasike.

Pauline Faget, një nga protagonistet e shfaqjes, theksoi se përvoja në Durrës ishte magjike dhe një mundësi e shkëlqyer për të ndarë pasionin për baletin me publikun shqiptar.

“Është hera e parë që vij këtu dhe falenderoj Shqipërinë që na ftoi. Publiku qe i mrekullueshëm. U emocionua duke na parë. Përtej përrallës, shfaqja është balet klasik shumë impenjativ dhe jam e nderuar që isha në një rol kryesor”, tha balerina Pauline Faget.

Kjo shfaqje nuk ishte vetëm një interpretim artistik, por një rikthim në magjinë e fëmijërisë, ku të gjithë mund të besojnë në fuqinë e dashurisë dhe të ëndrrave të bukura.

Baleti klasik solli një përvojë të veçantë artistike, duke ndriçuar skenën me elegancën dhe lëvizjet e balerinëve bullgarë që në mbrëmje do të interpretojnë në Teatrin Kombëtar të Operas e të Baletit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA