“Për Shqiptarët”/ Historia e Rajlit, djalit të ri që i ndryshoi jeta në një aksident tragjik

11/10/2024 21:59

Historia që u rrëfye sonte në “Për shqiptarët” ka në fokus në 23-vjeçar, jeta e së cilit ka ndryshuar totalisht pas një incienti tragjik që e la të paralizuar 1 vit më parë.

Një djalë i ri, plot ëndrra e plane për jetën, pëson një kthesë tragjike që i ndërpret gjithçka në mes dhe një vit më pas vjen në një studio televizive, duke gjetur forcën të pranojë veten por edhe për një gjest fisnik.

23 vite më parë, më 7 mars, në familjen Dardha do të vinte në jetë Rajli, djali i parë i Lejlës dhe Fatjonit. Rajli ishte një fëmijë i mbarë, i shkathët, që nisi të hidhte hapat e parë pa bërë ende 1 vjeç.

Pas Rajlit lind vajza e dytë e familjes, motra e tij e vogël, për të cilën ka ndjerë gjithë kohën përgjegjësinë se duhej të kujdesej si një vëlla i madh.

Gjatë kohës që prindërit punonin, për fëmijët kujdesej kryesisht gjyshja. Dhe kështu u rrit, me dashuri të madhe, me këshillat e gjyshes e me përgjegjshmëri për veten motrën por edhe prindërit.

Ishte shumë i apasionuar pas sportit. Luante futboll me shokët në rolin e portierit dhe që prej moshës 10 vjeçare, u bë tifoz i zjarrtë i Tironës (siç thotë ai). Kur ishte 11 vjeç nisi të merrej me boks. Hera herës dilte edhe kampion, por nuk ishte sport për të cilin familja bëhej krenare, sepse e ëma sa e shikonte që vinte në shtëpi me shenja në fytyrë shqetësohej tej mase. Në moshën 17 vjeçare u shkëput prej boksit. Vendosi të ndiqte një tjetër pasion, atë të rregullimit të makinave. Pas përfundimit të gjimnazit, nis punë si mekanik në zonën e Brrylit, fare pranë shtëpisë. Nuk e kishte fare për turp nëse ecte rrugëve të Tiranës, me rrobat e punës gjithë graso e papastërti, sepse kënaqësia që ndjente kur me lekët e rrogës mund t’i blinte motrës një dhuratë, prindërve t’i bënte pazarin e gjyshes t’i blinte një shall të ngrohtë, nuk krahasohej me asnjë ndjesi tjetër.

Për familjen Rajli ishte aty për të gjithë sa herë kishin nevojë. Një djalë që nuk solli kurrë shqetësime.

Për të dashurën e tij ishte partneri që mundohej me çdo kusht të ishte i duhuri, të punonte sa më shumë, që kur të shkonte një ditë tek familja e saj e t’i kërkonte dorën, të thoshte me krenari se unë e dua vajzën tuaj e do t’i ofroj jetën më të mirë.

Por sot që flasim për Rajlin, fatkeqësisht duhet të flasim në dy kohë; në ishte dhe është.

Dhe ato që Rajli bënte në të shkuarën mbetën aty, pa patur mundësi të përsëriten sot…

Rajli zgjohej çdo mëngjes në orën 7. Pinte kafen herët dhe shkonte në shkollën profesionale për elektroauto. Pas shkollës shkonte në punë, pas pune në palester, pas palestrës takonte të dashurën e tij dhe më pas në shtëpi. Rajli ishte aty për të marr motrën adoleshente nga shkolla, që të ndjente kujdesin dhe mbrojtjen e vëllait më të madh. Ishte aty për të marr mamin dhe babin nga puna. Ishte aty për të vizituar gjyshen që jetonte në një lagje më larg. Ishte aty për shoqërinë, për të organizuar daljet dhe sidomos ato më të preferuarat në stadium duke ndjekur Tironën.

Ishte aty për t’i dhënë mbështetje gjithkujt, derisa një ditë gjithëkush do të kthente sytë për t’i dhënë mbështetje atij.

Ishte korrik i 2023-shit, dita më e nxehte e vitit-kujton Rajli. Në fundjavë ai shkonte nga gjyshja për drek, rutinë që nuk e ndërronte kurrë.

Pasi takon gjyshen dhe nusen e dajës, flet me to pak çaste dhe prej vapës shkon të freskohet në tualet.

I hutuar në telefon, minutat kalojnë dhe ndez edhe një cigare, duke u mbështetur në parvazin e dritares.

Rajli kujton se mbylli telefonin, pa orën 11:59 dhe më pas nuk kujton më asgjë.

Kaluan minutat dhe Rajli nuk po dilte që të drekonte. Thirrjeve të gjyshes që mendonte se thjesht nipi ishte me kufje e dëgjonte muzikë, iu përgjigj trokitja në derë e fqinjëve. Të tronditur ata i kërkojnë gjyshes të zbresë poshtë. Gjyshja zbret me një frymë 4 katet e pallatit, me zemrën që rrihte fort, pa ditur se çdo dëgjonte. Në tokë gjen Rajlin, pak centimetra e ndanin nga asfalti i trotuarit. Ai qëndronte aty, i pavetëdijshëm. Pa kuptuar se si, ishte rrëzuar nga kati i 4. Ora 11:59 mbetet çasti që i ndryshoi gjithçka.

Rajli kujton vetëm sirenën e ambulancës, e më pas zhurmën e aparaturave të spitalit. Nën efektin e qetësuesve, kërkonte vetëm mamin. E teksa Rajlin e qetësonin ilaçet, nuk kishte asgjë që qetësonte shpirtin e familjes Dardha, që jeta iu përmbys sa hap e mbyll sytë. Mjekët thonin se kishte thyerje në shtyllën kurrizore, por vështirësia më e madhe ishte të kalonte betejën për jetën.

Rajli thotë se mbijetesa mund të jetë vetëm një mrekulli. Zoti i fali jetën për së dyti.

Pasi kalon rrezikun për jetën, familja duhej të përballej me një tjetër vështirësi.

Rajli zgjohet, e vetmja që ndjente ishte koka, hapte mbyllte sytë dhe mund të pinte vetëm ujë. Nuk lëvizte dot asnjë gjymtyrë. Pyeste mamin se çfarë po ndodhte dhe e ëma me zërin që i dridhej i thoshte se është e përkohshme. Çdo gjë do kthehet në normalitet.

Ditë më pas filloi të lëvizte duart e të ndjente kraharorin, teksa lëvizte e mbushej me frymë. Të ndjente fytyrën e së ëmës që mbështetej e derdhte lot.

Rajli thotë se e shikoja që i fshinte lotët ashtu vjedhurazi, kthente kokën nga unë dhe buzëqeshte. Thoshte se do ia dalësh, se je djalë i fortë. Dhe unë e besoja, sepse të besoje ishte gjëja me e lehtë që mund të bëja.

Kaluan 3 javë, por këmbët vazhdonte të mos i ndjente. Momenti më i vështirë ishte kur e ëma i tregon të vërtetën. Kishte ardhur momenti ta dinte edhe ai. Nuk e harron kurrë atë fjali: Rajli është mrekulli që t’i je me ne, por  mjekët kanë thënë se dëmtimi është aq i madh  sa nuk mund të ecësh dot.

Rajli thotë se kush nuk e ka provuar, nuk ka se si ta kuptoj se çfarë ndjen njeriu në ato momente. Por i keni parasysh ato ëndrrat e këqija, mankthe më saktë, kur ju mundoheni të largoheni, të vraponi, por këmbët s‘iu përgjigjen. Ju se kuptoni pse, sepse e dini që mundeni ta bëni, por më pas hapni sytë dhe gëzoheni që ishte ëndërr…

Po sikur të ndodh e kundërta: ju ëndërroni sikur vraponi, sikur ndjeni kenaqësinë që këmba prek tokën, që ecni pandalur në kujtime të largëta e më pas hapni sytë. Këtë herë nuk gëzoheni, do të donit të ishte e vërtetë, por tani nuk mundeni më.

Rajli na ka rrëfyer se pranimi i kësaj të vërtetë ka qenë një proces që ka zgjatur për disa muaj. Refuzonte të dilte, refuzonte të ulej në atë karrige me rrota, refuzonte të kërkonte ndihmë, refuzonte të takonte shoqërinë, të dashurën…

Rajli nuk ishte mësuar të jetonte ndryshe, ishte mësuar t’iu gjendej ai pranë të tjerëve, jo të kërkonte ndihmë.

Babai i tij, njësoj si i biri, nuk e përballonte dot atë ndodhi. Ndryshoi totalisht si njeri, e që nga ajo ditë Rajli nuk e ka parë më të buzëqesh, e madje i ati kalon më shumë orë larg shtëpisë, duke shmangur realitetin e hidhur.

Nga ana tjetër është gjyshja, e cila nuk i fal vetes që ngjarja ndodhi në shtëpinë e saj, e në një anë tjetër mami. E vetmja që i jepte forcë, që i thoshte më ke mua e që besonte dhe beson se Rajli një ditë do të ec sërish.

Rajli kalonte orë e vetëm në dhomë, herë fshinte fotot që i kujtonin të shkuarën, herë të tjera i rikthente. Herë mallkonte veten që ishte i palestruar dhe i peshonte mamit në shpatulla sa herë i duhej ta lëvizte nga shtrati, e herë gëzonte se ndoshta ai fizik e mbajti gjallë.

Rajli ndihej keq, teksa mendonte që ishte ai shkaku që prindërit humbën punën. Teksa shikonte sytë e tyre që mundoheshin të buzëqeshnin duke i thënë do ia dalësh edhe pse as ata vetë nuk e dinin a do ishte e mundur.

Rajli nuk kishte zgjidhje tjetër, i duhej të bëhej dhe ai i fortë, për familjen, për mamin veçanërisht.

Filloi të dilte; edhe pse ditën e parë që doli shëtitje me karrigen me rrota, e pranon se i vinte turp nga vetja, kur ndeshte shikimet me keqardhje të njerëzve.

Nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të pranonte realitetin e të mundohej të zgjonte brenda vetes Rajlin e një viti më pare; që shqetësohej për lumturinë e familjes. Ata ishin shtysa kryesore që Rajli të rigjente veten, e nga ana tjetër duhej të ishte dhe ai që duhet t’iu lehtësonte dhimbjen atyre.

Sot ka ardhur për t’i thënë mamit faleminderit. Faleminderit që nuk e la kurrë vetëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA