E bija humbi jetën pas lindjes, të moshuarit rrisin në varfëri mbesën 8 vjeç, historia prekëse në “Për Shqiptarët”

11/10/2024 23:00

Dashuria që kanë prindërit për fëmijët është e madhe, e përsosur, por ajo që kanë për nipërit dhe mbesat kalon në dimension hyjnor.

Humja dhe Saliu, prekën zemrat e shqiptarëve me historinë e tyre në “Për Shqiptarët”. Ata të dy po rrisin mbesën, pasi vajza e tyre humbi jetën nga një sëmundje e rëndë pas lindjes, ndërsa babai nuk u gjend pranë vajzës së vogël, Dilarës.

Humja sot është 67 vjeç, ndërsa Saliu ka mbushur 73 vjeç, është një zonjë e këndshme që mund t’i dallosh mes buzëqeshjes së syve edhe dhimbjen që fsheh.

Ka lindur në Kukës dhe një vjeç erdhi në Tiranë.

Është vajza e tretë e familjes dhe ngaqë prindërit dëshironin djalë, i vunë emrin Hume… “Për të humbur kështu lindjet e vajzave”…

Mbaroi shkollën 9 vjeçare dhe bëri vetëm 2 vite shkollë të mesme. Do ta linte arsimin për të nisur punë si vinçiere në Uzinën Autotraktor.

Në vitin 1984 do të njihte Saliun dhe në vitin 1986 do të vinte në jetë Linda. Një vit e gjysmë ajo do të bëhej me një vëlla më të vogël, Besmirin.

Humja punonte në Uzinë dhe Saliu në Pemtari, në Fermën e njohur të Laprakës.

Nuk fitonin shumë, e mes halleve të jetesës dhe rritjes së fëmijëve sakrifikonin për të mos munguar gjërat në shtëpi.

Humja donte shumë Lindën, ajo ishte e gjallë plot jetë, i pëlqente të shkonte në shkollë, të mësonte.

Në adoleshencë kishte dëshirë të vishej bukur, të këndonte, të kërcente me muzikë të lartë, të shkonte në disko, si gjenerata e asaj kohe.

Humja e donte aq shumë Lindën se edhe ajo edhe ja bënte qefin, e ndihmonte…

Kur kthehej e ëma në shtëpi ajo i kishte bërë të gjitha punët, kishte gatuar e gjithçka ishte e pastër,  e bukur, e ngrohtë.

Pas viteve 1990 kur çdo gjë do të prishej: Edhe uzinat, edhe fabrikat, edhe fermat, Humja do të punonte në lavanderindërsa Saliu me çfarë të mundej. Punonte me një karrocë që e ka mbajtur deri para pak vitesh…

Fëmijët e tyre Linda dhe Besmiri do të jetonin adoleshencën dhe rininë mes tranzicionit të kohës. Besmiri nuk do të rrinte shumë në shtëpi, si djemtë që si mbledh shtëpia, kurse Linda do të ishte balsami i shtëpisë.

Dilte me Humen, i tregonte për këngët dhe muzikën, me ato pak mundësi që kishin mundoheshin të shijonin jetën, në mikrobotën e tyre.

Linda mbaroi shkollën e mesme por nuk mundi të vazhdonte të lartën.

Bota u shemb për familjen e saj e sidomos për Humen kur Linda mbushi 20 vjeç. Në mënyrë të papritur Linda e bukur, njoftohet nga mjekët se vuante nga sëmundja: “Sklerodermi sistemike”.

Sëmundje që prek muskujt, lëkurën, mushkëritë, zemrën, veshkat. Mjekët nuk jepnin shpresë, por zemra e nënës nuk do ta pranonte rrezikun për jetën…

Linda dhe duart e saj që mbanin shtëpinë e pastër, dhe bënin gatimet e shijshme për të gjithë, do nisnin të humbisnin funksionet, njësoj si organet e tjera.

Ajo nuk kishte fuqi të ngrihej nga krevati, e shpesh Humja e gjente në mesditë të shtrirë, të pafuqishme për të jetuar… Me shumë sforco ajo donte të vazhdonte përpara, përveç gatimit që e bënte me dëshirë e pasion, nisi punën në një dyqan lulesh.

I pëlqenin shumë lulet, punonte me duart që po i dobësoheshin çdo ditë e më shumë, në një mjedis që të paktën kishte aromë të mirë dhe bukuri natyrale. Të preferuarët e Lindës ishin trëndafilat e bardhë…

Vitet kalonin dhe Linda e sëmurë, mundohej të jetonte.

Gjatë kësaj kohe ajo njihet me një djalë, që do ta donte me pastërti dhe do të qëndronte e lidhur për një kohë të gjatë… Ja tregon edhe Humes se kishte rënë në dashuri, por kjo histori nuk ja ngrohte shumë zemrën nënës…

Ky djalë jetonte dhe punonte mes Tiranës, Kosovës dhe Zvicrës.

Në moshën 28 vjeçare Linda do të mbetej shtatzanë. Me sëmundjen e saj do ta kishte pak të vështirë që të përballonte këtë proces, por ishte shumë e lumtur që do të bëhej nënë.

Babai i fëmijës, nuk vendos të bëjë prezantim me familjet dhe as celebrim.  Mes shtatzanisë, problemeve në çift dhe gjendjes së rënduar shëndetësore, Linda qëndron në shtëpi në kushte tepër të vështira.

Humja i qëndronte në kokë, e ndihmonte duke bërë gjithçka duhej. Ishin 9 muaj të vështirë.

Në 21 dhjetor të vitit 2015 lind vajza e Lindës. Ajo do ta quante Dilara, njësoj si aktorja e saj e preferuar… Vajza vjen në jetë, por shëndeti i Lindës përkeqësohet.

Foshnja e sapolindur ka qëndruar 10 ditë në inkubator pasi lindi para kohe. Doli nga spitali pas një muaji e gjysmë.

Linda nuk arriti dot ta mbante në duar. Edhe ajo pasi u kthye në shtëpi në gjendje të rënduar, u detyrua të shtrohej sërish në spital. Dy muaj pas ardhjes në jetë të Dilarës, Linda humb jetën në moshën 30-vjeçare. Iku pa lenë amanete, pa ushqyer qoftë edhe një herë të vetme fëmijën me gji, duke ja besuar atë nënës së saj…

Dhimbja është e madhe për të gjithë familjarët, për babain, për vëllain por sidomos për Humen e cila edhe sot kur përmend e emrin e Lindës i nis shtrëngimi në zemër.

Humbja është e madhe, duket se dikush i ka shkulur shpirtin kësaj nëne që bashkë me largimin e vajzës nga kjo jetë, ka edhe një foshnje 2 muajshe në duar.

Kjo Bebe do ta mbante gjallë, që të ishte e kthjellët, që të gjente gëzimin për të vazhduar jetën por edhe një arësye për të mos kaluar ditët në errësirë.

Ka qenë shumë e vështirë për Humen, të rrisë në pleqëri bashkë me të shoqin, mbesën sikur ta kishte vajzë.

E vështirë për të përballuar hallet e një fëmijë te vogël, që do qumësht, duhet ndërruar, duhet çuar për vizita dhe vaksina. Është e vështirë për një nënë të humbasë fëmijën e saj, por edhe të rrisë mbesën pa pasur asnjë prind pranë.

Sa herë i është dashur të shkojë në spital, të gdhijë e të ngrysë netë pa gjumë , kur Dilara është sëmurë me temperature. Prej tre vjetësh duhet të bëjë edhe detyrat me të, të shkojë në takim me prindër.

Sot Dilara është në klasën e 3-të, i pëlqen njësoj si nëna e saj, të këndojë e të kërcejë…

I pëlqen arti, aktorët, humori, këngëtaret që vishen bukur.

Dilara i kalon ditët me nënën dhe gjyshin, me ato pak mundësi që ka. Nëna e nxjerr shëtitje të parku i lojërave, i gatuan gjëra të mira dhe mundohet që t’i tregojë e të mbajë gjallë kujtimin e nënës që sot është ëngjelli i tyre mbrojtës.

Dilara është shpëtimi i Humes, i ka lënë aromën e vajzës, e përqafon sa herë që e merr malli për të dhe shpreson se fati i saj do të ketë rezervuar një fund të lumtur.

Humja mendon çdo ditë: Linda nuk ka ikur përgjithmonë, ajo është aty.. është në shtëpi, është rrugës kur Dilara del nga shkolla, kur Humja mbyll sytë, lutet në heshtje,ajo i pëshpërit, jo me gjuhën e fjalëve, por me gjuhën e zemrës…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA