Në konferencën e përbashkët me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kryeministri Edi Rama tha se dy vendet ranë dakord që duhet bërë më shumë për investime të drejtpërdrejta në turizëm.
Ndër të tjera Rama tha se ‘sa më shpejtë të arrijmë 2 miliardë eurove për të shkuar në një fazë të dytë të këtyre shkëmbimeve.’
“Së pari, dua të përsëris edhe njëherë, për të disatën herë qysh kur presidenti ka ngjitur shkallët e kësaj godine, falënderimet dhe shprehjen më të sinqertë të mirënjohjes për vizitën sot në Tiranë, së bashku me një pjesë të konsiderueshme të ekipit të tij qeveritar. Ejvallah!
Jam vërtetë shumë i kënaqur që zhvilluam takimin e dytë të Këshillit të nivelit të lartë të Bashkëpunimit ku jo vetëm konfirmuam vendosmërinë për ta forcuar më tej karakterin strategjik të këtij bashkëpunimi por edhe mundën të vlerësojmë zbatimin konkret të marrëveshjeve të bëra si edhe potencialin e jashtëzakonshëm të kësaj marrëdhënieje.
Presidenti i Republikës së Turqisë e përsërit sa herë takohemi dhe me shumë të drejtë që niveli i shkëmbimeve tregtare mes Turqisë dhe Shqipërisë nuk e pasqyron ashtu siç duhet potencialin mes dy vendeve dhe sikundër e dëgjuat dhe nga ai vetë, ambicia jonë është që sa më shpejt ne të arrijmë tavanin e 2 miliardë eurove për të çelur pastaj një fazë të dytë me edhe më shumë zhvillim të këtyre shkëmbimeve.
Nga ana tjetër, ndava me Presidentin kënaqësinë që në tërësinë e zhvillimit shumë inkurajues të turizmit në vendin tonë, numri i qytetarëve turq që kanë vizituar Shqipërinë gjatë 8 muajve të parë të këtij viti është rritur me 85% dhe nga ana tjetër, duke parë interesimin në rritje të përditshme të agjencive dhe të operatorëve turistikë të vendit mik, ne jemi besimplotë që vitin e ardhshëm, numri i qytetarëve turk që do të vizitojnë Shqipërisë do të jetë ende më mbresëlënës.
Në këtë aspekt, presidenti ritheksoi dhe patjetër që ramë plotësisht dakord që duhet të bëhet më shumë për investime të drejtpërdrejta nga ana turke në sektorin e turizmit ku e dimë të gjithë dhe falë, në radhë të parë, të zotërisë në krahun tim, Turqia ka bërë një transformim marramendës dhe është kthyer në një vend që jo thjesht mirëpret miliona e miliona turistë, por ka një kapacitet të dijes në nivelin e ekselencës që për ne do të ishte shumë i vyer”, u shpreh kreu i qeverisë.
Top Channel