Portugalia tenton ‘të joshë’ të rinjtë nën 35 vjeç me reduktime taksash (fotot)

10/10/2024 16:40

Qeveria në Portugali ka propozuar reduktime të ndjeshme taksore për të rinjtë nën 35 vjeç duke tentuar t’i joshë ata të mos largohen nga vendi për në emigracion.

Zyrtarët thonë se me këtë, gjithashtu kërkojnë të nxisin të huaj të vendosen në Portugali, shkruan BBC.

Si pjesë e buxhetit të prezantuar sot në parlament qeveria e qendrës së djathtë e kryeministrit Luís Montenegro tha se po redukton taksat për qytetarët nën 35 vjeç me një maksimum prej 15%.

Masa aktuale e taksave mbi të ardhurat nën €20,000 në vit në Portugali është 26%.

Me planin e saj qeveria tha se kërkon që të rinjtë të nisin karrierën e tyre në vend duke mos paguar asnjë taksë për vitin e parë, dhe kjo aplikohet dhe për të huajt e të njëjtës grupmoshë.

Vitet e fundit shumë të huaj kanë ardhur për t’u vendosur në Portugali, të joshur nga qiratë relativisht të përballueshme, moti i butë dhe bukuritë natyrore.

Në kryeqytetin Lisbonë e në Algarve numri atyre që njihen tashmë si “nomadët dixhitalë” është rritur ndjeshëm dhe kjo ka sjellë rritjen e qirave të banesave ashtu si dhe pakënaqësinë e largimet e vendasve.

Rroga minimale mujore në Portugali është €870 ndërsa rroga mesatare €1,640, që është nga më të ulëtat në BE, shkruan BBC.

Kështu që shumë të rinj zgjedhin të largohen, aq sa tashmë llogaritet se 30% e portugezëve nën 39 vjeç – rreth 850,000 njerëz – tani jetojnë jashtë vendit, sipas statistikave vendase.

Ministrja e rinisë Margarida Balseiro Lopes tha se megjithëse masa ka kosto financiare, ajo kërkon të ndalojë largimin e gjeneratës më të kualifikuar”.

Por rezidenti i Lisbonës, João tha se kjo nuk do të ndalonte largimin e të rinjve dhe se qeveria duhet të fokusohet në politika për uljen e kostove të strehimit.

“Qeveria aktuale duket e vendosur të rrisë pabarazinë në këtë vend, duke ndihmuar të huajt e pasur që në fakt nuk kanë nevojë për stimuj për t’u vendosur këtu”, tha ai për rrjetin BBC.

Bernardo, mësues muzike 30 vjeçar gjithashtu tha se masa është “tepër e vogël, tepër vonë”.

“Pagat në Portugali janë tepër të ulëta dhe qiratë shumë të larta, prandaj nuk duket se kjo do të sjellë ndonjë ndryshim”.

Parlamenti voton buxhetin më 31 tetor.

FOTO GALERI
1/2
Vitet e fundit shumë të huaj kanë ardhur për t’u vendosur në Portugali, të joshur nga qiratë relativisht të përballueshme, moti i butë dhe bukuritë natyrore.

Top Channel