Vizita zyrtare në Tiranë, presidenti Erdogan: Jam i nderuar që jam në vendin mik dhe vëllazëror!

10/10/2024 14:19

Kryeministri Edi Rama dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan kanë dalë në konferencë për mediat në Tiranë, e cila nisi me firmosje e marrëveshjeve mes dy vendeve, me karakter ekonomik dhe social.

Fjalën e ka nisur i pari presidenti turk, i cili u shpreh se ndihet i nderuar që ndodhet në Shqipëri.

“Ju përshëndes me ndjenjat e mia më të përzemërta në emrin tim personal dhe të kombit tim. Jam i nderuar që jam në vendin mik dhe vëllazëror, Shqipërinë, me rastin e takimit të dytë të Këshillit tonë të bashkëpunimit të nivelit të lartë. Siç e dini vitin e kaluar ne festuam 100-vjetorin e marrëdhënieve tona diplomatike me Shqipërinë.  Marrëdhëniet tona miqësore me Shqipërinë të forcuara nga lidhjet historike dhe afërsia kulturore në fakt shtrihen përtej një shekulli.

Me konsultimet tona të sotme ne e thelluam më tej partneritetin tonë strategjik të cilin e ndërtuam në vitin 2021 mbi këtë themel historik njerëzor dhe kulturor. Shkëmbyem pikëpamje të hollësishme mbi fushat e bashkëpunimi që përcaktuam në takimin tonë të parë të Këshillit në Ankara shkurtin e kaluar.

Gjithashtu me deklaratën e përbashkët që nënshkruam, theksuam vendosmërinë tonë për të zhvilluar dhe thelluar Këshillin tonë në fusha të ndryshme. Ne konfirmuam vullnetin tonë për të avancuar bashkëpunimin tonë me tre marrëveshjet që sapo kemi nënshkruar në fushën e bujqësisë, arsimit të lartë dhe marrëdhënieve me publikun dhe komunikimin”, tha ai.

Top Channel