Rama merr pjesë në samitin Ukrainë- Europa Juglindore në Dubrovnik/ Takohet me Zelenskyn, Osmanin dhe Plenkoviç

09/10/2024 18:20

Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në samitin “Ukrainë – Europa Juglindore”, në Dubrovnik të Kroacisë.

Ai është takuar fillimisht me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviça, ndërsa nuk kanë munguar përqafimet dhe të qeshurat mes tyre.

Kreu i qeverisë gjithashtu u takua edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, e cila ishte pjesë e samitit.

Serbia në këtë samit përfaqësohej nga presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili qëndronte krah kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.

Në samit morën pjesë edhe kryeministrat dhe ministrat e jashtëm nga, Bosnje dhe Hercegovina, Bullgaria, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Sllovenia dhe Turqia.

Kroacia priti liderët e 12 shteteve rajonale dhe Zelenskyn në këtë udhëtim të tij për të siguruar mbështetje nga aleatët, ndërsa zgjedhjet e ardhshme në SHBA mund t’i lënë nën hije zhvillimet në Ukrainë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mbërriti të mërkurën në Kroaci, ndërsa vendi i tij përpiqet të ndalë avancimet ruse në lindje të Ukrainës, me Kievin që kërkon më shumë ndihmë ushtarake.

Zelensky tha në platformën X se kishte mbërritur në Kroaci për të marrë pjesë në samitin që po mbahet në jug të Dubrovnikut.

Samiti do të diskutojë për “përpjekjet ndërkombëtare për ta afruar paqen… si dhe bashkëpunimin në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, tha ai.

Samiti do të tregojë se “i gjithë rajoni mbështet Ukrainën dhe popullin ukrainas në luftën për liri”, tha kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç.

Ai premtoi vazhdimin e “solidaritetit me Ukrainën… duke përfshirë ndihmën ushtarake”.

Presidenca e Kosovës tha se në këtë samit “pritet të riafirmohet mbështetja e palëkundur për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, rëndësia e sanksioneve kundër Rusisë, bashkëpunimi me BE-në dhe mbështetja e vendeve të Evropës Juglindore për Ukrainën”.

Ndërsa, në margjinat e këtij samiti, Osmani pritet të zhvillime edhe takime të ndara me homologët e saj.

Takimi pranë brigjeve të Adriatikut është samiti i tretë “Ukraina-Evropa Juglindore”.

Në samitin e fundit të mbajtur në Shqipëri në shkurt, Zelensky bëri thirrje për mbështetje më të madhe për të ndihmuar në mbrojtjen kundër forcave ruse.

Ai vazhdoi të kërkojë më shumë ndihmë, ndërsa Rusia po përfiton në fushëbetejë nga avantazhi me burime njerëzore dhe municione.

Zelensky gjithashtu kërkoi leje për të përdorur armët me rreze të gjatë, që janë dhënë nga aleatët, për të sulmuar objektiva ushtarake thellë brenda territorit rus.

Një deklaratë e përbashkët në fund të samitit pritet të dënojë agresionin rus, të mbështesë integritetin territorial të Ukrainës dhe planin e paqes të Zelenskyt, të kërkojë ndjekje penale për krimet e luftës në Ukrainë dhe të mbështesë integrimin evropian dhe anëtarësimin në NATO të Kievit, sipas mediave lokale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA