Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me Prokurorinë Themelore Publike Tetovë janë duke ndërmarrë masa për zbardhjen e ngjarjes në fshatin Sllatinë të Tetovës, ku një ditë më parë janë gjetur të vdekura nënë e bijë.
Dyshohet se ato janë helmuar, ndërsa do të merren mostra të gjakut dhe urinës edhe nga anëtarët e tjerë të familjes, babai dhe djali për të mësuar nëse edhe ata janë helmuar.
“Të gjeturat fillestare nga autopsia e urdhëruar flasin për helmim si shkak të mundshëm të vdekjes së personave, andaj nga të ndjeret janë marrë mostra për analiza shtesë toksikologjike për të përcaktuar shkakun e helmimit. Tek të vdekurit nuk u konstatuan gjurmë të tjera dhune.
Gjithashtu, me urdhër të prokurorit publik do të merren mostra të gjakut dhe urinës edhe nga anëtarët e tjerë të familjes babai dhe një fëmijë tjetër, për të kontrolluar praninë e mundshme të toksinave edhe në to”, theksohet në njoftimin e MPB-së.
Mediat vendase shkruajnë se viktimat janë gjetur nga gjyshja, e cila ka shkuar në cilësinë e mjekes pasi ka marrë një thirrje telefonike për ndihmë në urgjencën e Tetovës.
Këto detaje janë bërë të ditura në raportin e policisë së Tetovës.
Nuk dihen ende rrethanat, ndërsa në raportin e policisë thuhet se bashkëshorti 50-vjeçar i viktimës u arrestua dhe do të merret në pyetje.
Top Channel