Kampionati europian i parashutave në Gjirokastër, marrin pjesë rreth 100 pilotë nga 20 shtete të botës

09/10/2024 12:38

Në Gjirokastër është duke u mbajtur edicioni i 8-të i kampionatit europian të fluturimeve me preçizion.

Rreth 100 pilotë nga 22 shtete të botës po realizojnë gara të vështirësisë së lartë dhe njëkohësisht një spektakël fluturimesh që po tërheq vëmendjen e publikut dhe vizitorëve të vjeshtës në Gjirokastër.

“Është një nga evenimentet më të mëdha të sporteve në Shqipëri ose më i madhi për vitin 2024. Janë mbi 100 pilotë nga gjithë Europa si dhe tre të ftuar nga kontinentet e tjera që po garojnë në Gjirokastër në edicionin e 8-të për disiplinën e fluturimit me preçizion. Janë regjistruar 22 shtete, një garë shumë e fortë. Ky është edhe rankimi më i lartë i pilotëve në botë pasi pikërisht Europa e udhëheq aktualisht klasifikimin e pilotëve të tillë në botë.”

Eventi u parapri gjatë gjithë këtij viti dhe vitit të kaluar nga përgatitje dhe testime paraeliminatore të pilotëve shqiptarë dhe të huaj. Pilotë nga vende të ndryshme e çmuan eksperiencën si unike për shkak të mjedisit ideal të kodrave dhe luginës së Drinos mbi të cilën fluturohet.

“Për kampionatin pritshmëritë janë goxha të mira por ndonjëherë janë edhe kushtet që të avantazhojnë ose jo në raste të tjera. P.sh. era në kushtet që u ula unë tani nuk ishte në favor kështu që pata vështirësi në zgjedhjen e trajektores për të ardhur në target. Unë kam 9 vite që merrem me këtë sport dhe patjetër që shpresoj se ekipin shqiptar do ta hipim në pod. Jemi të përgatitur, tani të shohim, gara do e tregojë.”

“Kjo është hera ime e parë në Gjirokastër por kam qenë më parë në Vlorë. Shqipëria është një vend i bukur plot me male dhe uroj që të kem mundësinë të vij edhe për “country flying”. Ndihem shumë e mirëpritur sepse të gjithë janë shumë miqësorë.”

Gara do të mbyllet me shpalljen fituesve dhe me një Open Show për publikun që do të ftohet të marrë pjesë në fluturime edhe në funksion të turizmit. Përgjatë këtij kampionati lugina e lumit Drino mes malit të Gjerë dhe atij të Lunxhërisë përballë Gjirokastrës u bë e njohur ndërkombtarisht si një nga pistat më të përshtatshme për këto lloj fluturimesh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA