200 të helmuar nga uji në Dibër/ “Nuk është i pijshëm”, analizat e ujit tregojnë se ka ngarkesë bakteriale

09/10/2024 15:24

Ka shkuar në 200 numri i banorëve të Peshkopisë që kanë shfaqur shenja të helmimit përgjatë tre ditëve.

Nga e hëna deri të mërkurën kanë marrë mjekim në urgjencë banorët e tetë fshatrave që furnizohen me ujë nga ujësjellësi i Saponikës. Ky i fundit rezulton të jetë edhe burimi i këtij helmimi.

“Kanë dalë analizat e ujit të Ujësjellësit të Sopanikës që furnizon këto fshatra dhe ka ngarkesë mikrobakteriale. Pra uji nuk është i pijshëm”, shprehet Nexhmedin Spahiu, prefekt i Qarkut Dibër.

Pavarësisht ndotjes së ujit të pijshëm për 4 mijë banorë në tetë fshatra, Shefja e Urgjencës së Spitali Rajonal foli për një formë të lehtë helmimi dhe apeloi banorët të mos panikosen.

“Rastet janë të formave të lehta me të përziera, të vjella dhe diarre. Fluksi ditën e parë ka qenë i shtuar, ditën e djeshme ka pësuar një rënie dhe sot totali i të rriturve dhe fëmijëve që janë paraqitur është 25 raste. Këto janë raste të formave të lehta dhe u bëjë thirrje banorëve të këtyre zonave që të trajtohen në shtëpi pa u paraqitur në spital, pasi nuk ka ndonjë gjë shqetësuese. Nuk kemi raste të hospitalizuara nga këto zona”, thotë Neada Hoxha, Shefe e Urgjencës së Spitalit Rajonal Dibër.

Autoritetet vendore konfirmuan se situata është krijuar për shkak të reshjeve, pasi ujërat e shiut të rënë ditët e fundit kanë depërtuar në depot e ujësjellësit të Sopanikës. Nga shoqëria Rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve në Dibër, institucioni që duhet të mbajë përgjegjësi për cilësinë e ujit, nuk ka ende një reagim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA