“Testamenti” komedia e zezë e autorit dhe regjisorit Leka Bungo po shfaqet prej disa ditësh në skenën e teatrit “Zihni Sako” të Gjirokastrës.
Aktori i njohur Viktor Zhusti në rolin e Kuqos, solli një personazh që jeton në bunker me mendje të izoluar, komunist ende i lidhur me të kaluarën.
Ngjarjet që përshkojnë “Testamentin” nisin në vitin 1941 që prej themelimit të partisë komuniste e deri ne vitin 1990 kur regjimi diktatorial përmbyset.
Vepra përmes monologut të Zhustit analizon thellë realitetin politik, moral dhe etik të shoqërisë shqiptare në më shumë se 50 vjet. Situatat e humorit gati absurde ofrohen në rrethanat kur personazhit të vetëm të komedisë i duhet të jetojë rrethana dramatike të njëpasnjëshme.
“Një emocion krejtësisht i veçantë sepse për herë të parë në Gjirokastër kam ardhur i emëruar si aktor në vitin 1964 dhe fiks pas 60 vitesh është kjo shfaqje po në skenën e teatrit të Gjirokastrës dhe kjo gjë më krijoi një lidhje dhe një emocion krejtësisht të veçantë dhe si duket edhe spektatorët e ndjenë këtë dhe prandaj edhe reagimi i tyre ka qenë i veçantë dhe emocional. Sidoqoftë unë i jam mirënjohës dhe falënderues publikut ku shkojmë dhe japim shfaqje por publikut të Gjirokastrës është një gjë krejtësisht e veçantë sepse unë ndihem gjirokastrit”, thotë aktori.
Viktor Zhusti e ka cilësuar rolin e tij tek “Testamenti” si një ndër më të vështirët dhe më të arrirët e karrierës së tij artistike.
“Është një gjë krejt e veçantë nga të gjitha rolet që kam bërë deri tani por mesa duket publiku e kupton sarkazmën e Bungos, paralelizmin e kohëve që nga diktatura, demokracia, neodemokracia, etj edhe e pranon dhe reagon në mënyrë tepër pozitive, ju e patë sot reagimin e sallës që ishte krejtësisht i veçantë”, shton ai.
Shfaqja në Gjirokastër ishte pjesë e turit artistik të komedisë “Testamenti”, e cila është prezantuar me sukses në disa skena teatrore, në qytete të ndryshme.
Top Channel