Ushtria e Izraelit tha të martën se i ka nisur operacionet tokësore në jugperëndim të Libanit, duke e zgjeruar inkursionin e saj në një zonë të re, një vit pasi filluan këmbimet e zjarrit me grupin e armatosur Hezbollah.
Tensionet rajonale, të nxitura para një viti nga sulmi në jug të Izraelit prej Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – janë përshkallëzuar në operacione tokësore dhe ajrore të Izraelit në Liban dhe në sulme të drejtpërdrejta nga Irani kundër Izraelit.
Irani e ka paralajmëruar Izraelin të martën të mos kryejë ndonjë sulm kundër republikës islamike, një javë pasi Teherani i hodhi një breshëri raketash drejt tij, duke e vënë Lindjen e Mesme në teh.
Çdo sulmi ndaj infrastrukturës së Iranit do t’i përgjigjemi me hakmarrje, tha ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, duke e paralajmëruar Izraelin të mos e sulmojë vendin e tij.
Në Liban, ushtria izraelite e shtoi trysninë ndaj Hezbollahut, grupit të mbështetur nga Irani, duke thënë se po kryen “operacione të kufizuara, lokalizuara dhe shënjestruara” në jugperëndim të Libanit, pasi javët e fundit kreu operacione të ngjashme në juglindje të Libanit.
Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
Ushtria izraelite i bombardoi periferitë jugore të Bejrutit gjatë natës dhe tha se e vrau një zyrtar të lartë të Hezbollahut, i cili ishte përgjegjës për buxhetin dhe logjistikat e grupit.
Nëse konfirmohet, vrasja e Hussein Husseini do të ishte më e fundit në një sërë vrasjesh të liderëve dhe komandantëve të Hezbollahut dhe Hamasit nga Izraeli.
Koordinatori i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Libanin dhe kreu i misionit paqeruajtës të OKB-së në vend, thanë të martën se thirrjet e tyre të përsëritura për vetëpërmbajtje kanë “rënë në vesh të shurdhër” prej fillimit të shkëmbimeve të zjarrit midis Hezbollahut dhe Izraelit.
“Sot, një vit më vonë, shkëmbimet pothuajse të përditshme të zjarrit janë përshkallëzuar në një fushatë ushtarake të pamëshirshme, me ndikim humanitar katastrofik”, thanë ata në një deklaratë të përbashkët.
Sulmet kanë rritur frikën se SHBA-ja, aleati më i ngushtë i Izraelit, dhe Irani do të përfshihen në një konflikt të gjerë në Lindjen e Mesme, rajonin që prodhon naftë.
Tensionet midis armiqve të përbetuar, Iranit dhe Izraelit, kanë arritur kulmin pas shumë viteve të luftës së fshehtë dhe vrasjeve, të cilat janë kthyer në përballje të drejtpërdrejta që kanë vënë rajonin në teh.
Izraeli po i shqyrton mundësitë për t’iu përgjigjur sulmit me raketa balistike nga Teherani javën e kaluar, i kryer si përgjigje ndaj veprimeve ushtarake të Izraelit në Liban.
Faqja amerikane e lajmeve, Axios, citoi zyrtarë izraelitë të kenë thënë se objektet e naftës së Iranit mund të goditen, gjë që do të ishte një përshkallëzim serioz që mund të rrisë çmimet globale të naftës.
Sulmet ajrore izraelite kanë zhvendosur 1.2 milionë njerëz në Liban, dhe fushata e intensifikuar e bombardimeve të Izraelit ka shqetësuar shumë libanezë se vendi i tyre do ta përjetojë një shkatërrim të gjerë si ai i shkaktuar nga Izraeli në Gazë.
Rreth 2.000 libanezë janë vrarë prej se Hezbollahu dhe Izraeli filluan këmbimin e sulmeve një vit më parë. Shumica e tyre janë vrarë në javët e fundit.
Ushtria izraelite e ka përshkruar operacionin e saj tokësor në Liban si të lokalizuar dhe të kufizuar, por ka filluar ta zgjerojë gradualisht që nga java e kaluar. /rel
Top Channel