Aksion në Ministrinë e Mjedisit në Kosovë, arrestohet një zyrtar! Sekuestrohen armë, dokumente dhe laptopë

08/10/2024 21:00

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë thënë të martën se në aksionin e zhvilluar më herët gjatë ditës së Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), është arrestuar një person i dyshuar, ndërsa i dyshuari tjetër nuk është gjetur në vendbanimin e tij.

I arrestuari me inicialet I.B., dyshohet se ka kryer veprat penale si “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa i dyshuari tjetër me inicialet, N.F., dyshohet për kryerje të veprave si “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “shpëlarje e parave” dhe “mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dhe dobisë tjetër pasurore”.

Mediat lokale kanë raportuar se i arrestuari është zëvendëssekretari i Ministrisë së Mjedisit.

Përgjatë aksionit, autoritetet kanë thënë se kanë konfiskuar edhe një revole me karikator e fishekë, dokumente prej 34 faqesh, tre telefona, 17 USB, laptopë, dhe dokumente tjera që janë konsideruar të rëndësishme për procedurën hetimore.

Në komunikatë është bërë e ditur se është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për gjashtë banesa, në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.

Aksioni i kryer nga Departamenti për Krime Ekonomike, besohet se lidhet me hetime për ambalazhim të ujit./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA