Qeveria e Kosovës vendosi të heqë masën e ndalimit të importeve të mallrave nga Serbia, mes shqetësimeve se refuzimi mund ta lërë Kosovën jashtë proceseve të rëndësishme siç është Procesi i Berlinit.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, konfirmoi të hënën se qeveria do të lejojë hyrjen e mallrave nga Serbia nëpërmjet vendkalimit kryesor kufitar në Merdarë.

“Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar, derisa të na vijnë skanerët. Në momentin që na vijnë skanerët atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare, por derisa nuk na vijnë skanerët ne do ta hapim një pikë kufitare e cila do ta ketë kontrollin e shtuar për shkak se masat që i kemi ne janë masa të sigurisë”, tha kryeministri Kurti gjatë një konference për shtypin.

Qeveria e Kosovës ndaloi importet e mallrave nga Serbia në qershor të vitit 2023, si një masë sigurie pas situatës së krijuar me arrestimin e tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe, të cilët më pas u lanë të lirë nën trysninë perëndimore.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha të hënën se vendimi i Kosovës për heqje e ndalesës për mallrat nga Serbia largon tensionin që ka ekzistuar për kohë të gjatë, duke theksuar se “gjëja më e rëndësishme tani është që serbët të furnizohen me ushqime dhe ilaçe”.

Kryeministri serb Vuçeviq tha se mbështet secilin veprim që ndikon në përmirësim të kushteve të jetesës për serbët në Kosovë duke vënë thënë te përpjekjet e diplomacisë gjermane që ta vë në pah fazën e re të marrëveshjes së CEFTA-s.

Kryeministri Kurti këmbënguli se masat e qeverisë së tij nuk kanë qenë asnjëherë tregtare. Diplomacia perëndimore dhe së fundmi posaçërisht Gjermania i kanë kërkuar në vazhdimësi qeverisë heqjen ndalesës duke theksuar se ajo është kundër parimeve të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore, të njohur si CEFTA, ku bën pjesë edhe Kosova krahas pesë vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë.

Në këmbim Kosovës i është ofruar përfaqësim në CEFTA me emrin e saj – me fusnotë dhe jo përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), siç është aktualisht si dhe mbështetje për sigurimin e skanerëve që do të kryejnë kontrollet e maunave që hyjnë nga Serbia.

“Ne besojmë që ndryshimi i masës që e bëjmë është mese i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA dhe të hënën në Proces të Berlinit të kemi sukses të plotë”, tha kryeministri Kurti.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë nëpërmjet një njoftimi për media mirëpriti vendimin e qeverisë duke theksuar se ndalesa e importit të mallrave nga Serbia kishte ndikim negativ në interesat tregtare amerikane dhe evropiane, si dhe ishte në kundërshtim me frymën e CEFTA-s dhe zotimet e Kosovës në kuadër të procesit të integrimit.

Procesi i Berlinit, që këtë vit shënon dhjetëvjetorin e themelimit, është një nismë e hedhur që në vitin 2014 nga ish kancelarja gjermane Angela Merkel, me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.

Takimi i radhës pritet të mbahet me 14 tetor dhe nga njohës të zhvillimeve politike në rajon vlerësohet si e vetmja agjendë evropiane e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor, që përfshin të gjitha vendet e rajonit dhe i trajton ato në mënyrë të barabartë./voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA