Akuzat e rënda ndaj P Diddy-t, reagon mamaja e artistit: Djali im nuk është një përbindësh, bota refuzon të dëgjojë versionin e tij

07/10/2024 17:28

Nëna e Sean “Diddy” Combs ka thënë se ajo është e shkatërruar dhe thellësisht e pikëlluar nga akuzat e ngritura kundër djalit të saj, duke i quajtur ato gënjeshtra.

Muzikanti, i njohur për hitet si “I’ll Be Missing You” i vitit 1997, u arrestua me akuza për trafik seksual dhe shantazh muajin e kaluar. Ai aktualisht po mbahet në një qendër paraburgimi në Manhatan pasi iu mohua lirimi me kusht.

Në një deklaratë, Janice Small Combs mbrojti djalin e saj, duke thënë se edhe pse ai kishte bërë gabime në të kaluarën, ai nuk është përbindëshi që të tjerët mendojnë.

“Më thyhet zemra të shoh djalin tim të gjykuar jo për të vërtetën, por për një rrëfim të krijuar nga gënjeshtra”, ka shkruar ajo.

Deklarata iu atribuua zonjës Small Combs dhe familjes Combs dhe u lëshua nga avokatja e saj, Natlie G Figgers.

Ajo erdhi pesë ditë pasi u zbulua se Combs mund të përballet me padi nga më shumë se 100 akuzues të tjerë, burra dhe gra, për sulme seksuale të dyshuara, përdhunime dhe shfrytëzim seksual.

Avokati i yllit të industrisë së muzikës i ka mohuar këto dhe të gjitha akuzat e mëparshme, duke i quajtur ato të rreme dhe shpifëse.

Ai është përballur me një sërë rastesh që nga viti i kaluar, kur ish-partnerja e tij Cassie Ventura e akuzoi për përdhunim dhe abuzim. Combs i mohoi akuzat dhe çështja u zgjidh jashtë gjykatës një ditë pasi u depozitua.

Megjithatë, ai u padit më pas nga 12 gra të tjera, shumë prej të cilave e akuzuan reperin për drogë dhe sulm ndaj tyre.

Agjentët federalë bastisën pronat e tij në mars, ndërsa autoritetet ndërtuan një çështje penale kundër yllit. Më pas, në maj, një video e Combs duke sulmuar fizikisht zonjën Ventura në një dhomë hoteli në vitin 2016 u zbulua në shtyp.

Në deklaratën e saj, Small Combs iu referua videos, duke thënë se ajo nuk ishte këtu për të portretizuar djalin e saj si të përsosur.

“Djali im mund të mos ketë qenë plotësisht i sinqertë për disa gjëra, si për shembull mohimi i dhunës me një ish-të dashurën e tij, kur survejimi i hotelit tregoi të kundërtën”, tha ajo.

“Ndonjëherë, e vërteta dhe një gënjeshtër ndërthuren aq ngushtë sa bëhet e tmerrshme të pranosh një pjesë të historisë, veçanërisht kur ajo e vërtetë është jashtë normës ose është shumë e ndërlikuar për t’u besuar.

Kjo është arsyeja pse unë besoj se ekipi ligjor civil i djalit tim vendosi të zgjidhë padinë e ish-të dashurës në vend që ta kundërshtojë atë deri në fund, duke rezultuar në një efekt rikoshet pasi qeveria federale e përdori këtë vendim kundër djalit tim duke e interpretuar atë si pranim faji.”

Në përfundim të deklaratës së saj, Janice Small Combs argumentoi se një gënjeshtër nuk e bën atë fajtor për të gjitha akuzat e rënda të ngritura kundër tij.

“Është vërtet agonike të shikosh botën të kthehet kundër djalit tim kaq shpejt dhe lehtë për gënjeshtra dhe keqkuptime, pa e dëgjuar kurrë anën e tij apo pa i dhënë mundësinë të paraqesë anën e tij”, tha ajo, duke shtuar se besonte se disa nga akuzuesit e tij ishin motivuar nga paratë.

P Diddy më parë kishte kërkuar falje për incidentin që u kap në film, duke thënë: “Unë marr përgjegjësinë e plotë për veprimet e mia në atë video. Isha i neveritur atëherë kur e bëra atë. Jam i neveritur dhe tani”. Ai do të dalë në gjykatë të mërkurën e 9 tetorit, kur avokatët e tij do të argumentojnë që ai të lirohet me kusht.

Atij më parë iu mohua lirimi me kusht pasi prokurorët argumentuan se ai përbënte një rrezik të rëndësishëm për gjyqin e ardhshëm.

Ata i thanë një gjykatësi të Nju Jorkut se Combs tashmë ishte përpjekur të pengonte hetimin e qeverisë për këtë rast, duke kontaktuar vazhdimisht viktimat dhe dëshmitarët dhe duke i ushqyer me tregime të rreme të ngjarjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA