Një muaj larg zgjedhjeve në SHBA, Harris dhe Trump në garë të ngushtë! Gratë “bojkotojnë” ish-presidentin, burrat kandidaten demokrate

05/10/2024 21:23

Vetëm një muaj na ndan nga zgjedhjet e bujshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa pritet përballja kokë më kokë e demokrates Kamala Harris dhe republikanit Donald Trump.

5 nëntori 2024 do të sjellë një drejtues të ri në Shtëpinë e Bardhë, me Harris e cila nëse zgjidhet do të shënjohet në histori, si presidentja e parë grua në SHBA, ndërsa Trump do të rikthehet në karrigen që drejtonte dikur, këtë herë me synime të qarta.

Fushata intensive do të vijojë edhe këtë muaj, ku rivalët Donald Trump dhe Kamala Harris po përpiqen në muajin e fundit të fushatave të tyre që të fitojnë terren në komunitetet ku mund të kenë mbështetje më të vogël.

Sondazhet tregojnë se nënpresidentja Harris, e cila pasoi Joe Biden pas tërheqjes së bujshme nga gara, gëzon mbështetje më të madhe mes votueseve gra.

Gjatë një tubimi në Karolinën e Veriut, Trump u zotua t’i mbronte gratë, për të cilat tha se janë më të varfra, me më shumë probleme shëndetësore dhe më pak të sigurta sesa kur ai ishte president.

“Po harxhojnë më shumë para për ushqimet dhe gjithçka tjetër se sa shpenzonin katër vjet më parë. Janë më të stresuara, më të dëshpëruara dhe të pakënaqura se sa ishin katër vjet më parë. Unë do t’i rregulloj të gjitha këto probleme”, u premtoi Trump grave amerikane.

Qasja ndaj abortit është një nga arsyet se pse Trump renditet pas demokrates Harris mes votueseve gra, kjo e fundit ka shprehur se ndalimi i abortit kufizon të drejtat e grave. Ish-presidenti emëroi në Gjykatën e Lartë pjesëtarë që ndihmuan në dhënien fund të një ligji federal mbi 50 vjeçar për mbrojtjen e abortit.

“Nuk është e nevojshme që dikush të braktisë besimin fetar apo bindjet e veta për të rënë dakord se shteti nuk duhet t’u tregojë grave se çfarë duhet të bëjnë. Gratë mund të zgjedhin vetë nëse duan të flasin me priftin, rabinin apo hoxhën. Pra nuk i takon qeverisë apo Donald Trumpit që t’u thotë grave se çfarë të bëjnë me trupin e tyre”, tha Harris.

Por nga ana tjetër, republikani Trump kryeson mes votuesve burra.

Ekonomia vazhdon të jetë çështja kryesore për shumicën e votuesve. Trump thotë se do të tërheqë investime të huaja dhe hapë më shumë vende pune. Harris po premton një ndihmë prej 25 mijë dollarësh për blerësit e rinj të shtëpive.

Votimi i hershëm ka vazhduar tashmë në 23 shtete. Ndërsa shumica e shteteve janë të vendosura se për kë do të votojnë, mendohet që fituesi i zgjedhjeve të përcaktohet nga shtetet fushëbetejë si Miçigani, Uiskonsin, Pensilvania, Xhorxhia, Karolina e Veriut dhe Arizonën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA