Gjuha e shenjave shqipe, për herë të parë hapet dega në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja

05/10/2024 15:25

Raundi i dytë i regjistrimeve në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë vazhdon deri ditën e hënë kur gjithë studentët e vendit do të nisin vitin e ri akademik 2024-2025.

Esmeralda Kromidha, dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja thotë: “Deri tani kemi rreth 300 regjistrime në Bachelor dhe 300 regjistrime në Programet Master. Programet më të pëlqyera rezultojnë Gjuha Angleze, Gjermane, Italiane, Franceze etj.

Nuk ka programe të mbyllura. Mund të ketë më pak studentë të regjistruar në këto programe në degën e gjuhës Greke, Ruse dhe Franceze këtë vit. Por mendojmë që ne do të kemi gjithmonë nevojë për përkthyes, për mësues të këtyre gjuhëve.

Tregu i punës sot ka nevojë për njohës të gjuhëve të ndryshme që të punojnë në fushën e Turizmit, Kulturës, Menaxhimit, atë të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Patjetër që gjithmonë do të ketë nevojë për mësues të gjuhëve të huaja.

Sigurisht përballë zhvillimeve të hovshme teknologjike edhe Fakulteti I Gjuhëve të Huaja po përshtatet duke punuar për të ofruar programin Gjuhë dhe Teknologji, pra Inteligjencë Artificiale. Në këtë mënyrë studentët që kanë dëshirë të studiojnë edhe në fushën e Teknologjisë por duke integruar edhe Gjuhët e Huaja do të jenë të mirëpritur.

Një program i ri në nivel Bachelor që duhej të fillonte sivjet, dhe që u miratua së fundi nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, është program në Gjuhën Frënge dhe Gjuhën e Shenjave Shqipe. Ky program synon formimin e specialistëve në gjuhën dhe kulturën frënge, por edhe Interpretëve në Gjuhën e Shenjave Shqipe”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA