Në një dalje të rrallë në sallën e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan Joe Biden tha përpara gazetarëve se nuk e dinte nëse Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po i mban qëllimisht bisedimet e paqes për të ndikuar tek rezultati i zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA.
“Asnjë administratë nuk e ka ndihmuar Izraelin më shumë se unë. Mendoj se Netanyahu duhet ta mbajë parasysh këtë gjë. Nuk e di nëse ai po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet amerikane, nuk e di, por nuk po e llogaris këtë”, tha Biden.
Disa demokratë kanë shprehur shqetësimin se kreu i ekzekutivit izraelit po i injoron thirrjet e presidentit amerikan për të negociuar një armëpushim me qëllimin që të cenojë shanset e partisë në zgjedhje. Senatori demokrat Chris Murphy, tha këtë javë për rrjetin CNN se Netanyahu por tregonte një interes të vogël për arritjen e një ujdie për paqen.
“Nuk duhet të jesh patjetër një cinik i pashpresë që t’i lexosh disa nga veprimet e Izraelit dhe të Netanyahut si të lidhura me zgjedhjet amerikane”, u shpreh ai. Presidenti Biden ka kërkuar prej kohësh arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi. Ai dhe ndihmësit e tij kanë thënë disa herë gjatë muajve të fundit se një marrëveshje e tillë ishte pranë arritjes.
Por pakti nuk u materializua asnjëherë, dhe në disa raste Netanyahu ka shprehur publikisht rezistencën ndaj kësaj mundësie, teksa Izraeli ka vazhduar nga ana tjetër të bëjë përparime në dy fronte, duke zhvilluar një inkursion tokësor kundër Hezbollahut në Liban, ku humbën jetë tetë ushtarë izraelitë dhe ka ndërmarrë sulme në Gazë, ku janë vranë dhjetëra njerëz, përfshirë fëmijë.
Top Channel