U shkatërrua nga tërmeti i 2019, restaurohet Hamami Mesjetar i Durrësit

04/10/2024 20:46

Hamami Mesjetar i Durrësit, një monument i trashëgimisë kulturore i kategorisë I, i cili u dëmtua rëndë nga tërmeti i vitit 2019, është restauruar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast morën pjesë Ambasadori i BE-së në vendin tonë Silvio Gonzato dhe përfaqësues të lartë të institucioneve vendase dhe ndërkombëtare, që theksuan rëndësinë e projektit “EU4Culture” për të ruajtur vlerat historiko-kulturore të qytetit dhe për ta bërë këtë objekt të arritshëm për qytetarët dhe turistët.

“Hamami Mesjetar është një projekt që e kam pasur për zemër për shkak të vlerave simbolike që ka. Është dëshmi e trashëgimisë së larmishme fetare, social-kulturore që ka Shqipëria. Është një nga 15 sitet që kemi restauruar në bashkëpunim me UNOPS dhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Janë dhe 8 site të tjera ku vijon puna. Kjo mbështetje është solidaritet me Shqipërinë pas tërmetit përmes dy programeve, BE për shkollat dhe BE për kulturën. Ky është programi më i madh në i BE-së në Ballkanin Perëndimor”, tha Gonzato.

Gjatë ceremonisë, nënkryetari i bashkisë së Durrësit vlerësoi kontributin e çmuar të BE-së në rimëkëmbjen e arsimit dhe kulturës pas tërmetit shkatërrimtar të 5 viteve më parë.

“Projekti EU4Culture ka ndihmuar shumë pas tërmetit shkatërrimtar në rimëkëmbjen e Durrësit. Vendndodhja në zemër të Durrësit është vlerë e shtuar si për qytetarët ashtu dhe për turistët. Faleminderit për të gjithë mbështetjen që ka dhënë BE në Durrës”, u shpreh Elio Jani, Nënkryetar i Bashkisë Durrës.

Restaurimi i Hamamit është një mundësi më shumë për të zhvilluar më tej turizmin kulturor. Ndërhyrjet e bëra përfshinë restaurimin e sipërfaqeve të brendshme dhe të jashtme, fasadave, si dhe instalimin e teknologjisë për interpretimin digjital, që do të mundësojë një përvojë më të pasur për vizitorët. Me një arkitekturë unike, Hamami do të jetë i hapur për publikun, duke shtuar një vlerë të re turistike dhe kulturore në qytetin e Durrësit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA