Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, Kastrati Group në bashkëpunim me organizatën YWCA, kanë çelur ekspozitën e fotografit Rezart Gurashi në mjediset e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Kjo ekspozitë fotografike, që mban të njëjtin titull me fushatën botërore, “1 në 8”, tregon rrugëtimin, forcën dhe vendosshmërinë e grave të prekura nga kanceri i gjirit.
Si pjesë e kësaj iniciative ndërgjegjësuese u përurua gjithashtu edhe një instalacion i artistit Ergys Krisiko.
Instalacioni artistik “Fjongo Rozë” është një simbol i fuqisë, mbështetjes, dhe shpresës për gratë dhe vajzat që janë prekur nga kanceri i gjirit.
Fjongoja, e cila është një simbol universal i ndërgjegjësimit dhe solidaritetit, u jep mundësinë udhëtarëve në aeroport që të ndalojnë, të reflektojnë dhe të japin kontributin e tyre duke lënë një mesazh në vepër.
Ornela Bego përfaqësuese e grupit të kompanive Kastrati thotë: “Kemi qenë gjithmonë të angazhuar për të mbështetur kauzat që bëjnë diferencën në jetën e njerëzve, dhe sot jemi krenarë që bashkohemi në këtë nismë. Përmes kësaj ekspozite fotografie dhe instalacionit këtu në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, synojmë të rrisim ndërgjegjësimin dhe të japim mbështetje për të gjitha gratë që përballen me kancerin e gjirit. Të gjithë bashkë, mund të bëjmë më shumë për të parandaluar dhe për të përkrahur ato që kanë nevojë.”
Donika Godaj, drejtorja ekzekutive e YWCA shprehet: “Përveç fokusit tonë kryesor që është ndërgjegjësimi i grave që të kontrollohen në mënyrë të rregullt, ne çdo vit vijmë me elementë të ndryshëm e sivjet zgjodhëm moton 1 në 8, që është raporti që prek gratë kudo në botë. Kësaj nisme ju bashkua dhe Rezart Gurashi me portrete të grave të prekura nga kanceri i gjirit. Ajo që ne duam të përçojmë është se dhe arti ka një rol të rëndësishëm në shpërndarjen e mesazhit për diagnostikimin e hershëm”.
Fushata kulmon në muajin tetor, i cili njihet ndërkombëtarisht si Muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit. Ekspozita e hapur sot në aeroport synon të ofrojë një qasje ndryshe përmes artit, për të prekur dhe ndërgjegjësuar një publik sa më të gjerë; teksa tërhoqi vëmendjen e pasagjerëve.
“Mmm fytyra kaq të reja. Mendoj se disa prej tyre janë edhe më të reja se unë . E m’u kujtua tani përvoja kur kalova kancerin e gjirit, që para zbulimit më thanë se nuk ka mundësi të kesh kancer se je shumë e re… por jo, jo . Kancerit nuk i intereson sa vjeç je. Ndaj kontrolloni veten, ju lutem. Dhe ekspozita të tilla të shtohen, në shkollë, në spitale, kudo…”, thotë një pasagjere.
Kastrati Group, nëpërmjet programit të tij të përgjegjshmërisë sociale “Kastrati për Shëndetin”, mbështet fuqimisht këtë nismë, duke kontribuar në promovimin e mesazhit për kujdesin shëndetësor dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.
Top Channel