Fiks Fare/ Investimi 500 mijë euro i qeverisë për rivitalizimin e fshatit në Nivicë, pjesë e programit 100 fshatrave, u shkatërrua pa u përdorur asnjëherë

04/10/2024 20:43

Nivica,  fshat i Kurveleshit, është e njohur për kanionet e saja, të cilat vizitohen nga mijëra turistë në vit.  Si pjesë e projektit të 100 fshatrave ku do të rivitalizoheshin nga qeveria shqiptare u  bë një investim 500 milion lekë.

Me këto lekë u ndërtuan tre godina si njësi shërbimi në vitin 2017, por që nuk u vunë asnjëherë në funksion. Sot e kësaj dite ato janë të shkatërruara nga kushtet atmosferike duke kërkuar të tjera  fonde për t’i riparuar.

Fiksi pa nga afër gjendjen e qendrës së fshatit Nivicë dhe kushtet në të cilat janë këto godina. Vetë banorët pohojnë se u bënë para disa vitesh dhe u lanë ashtu, bashkë me këto godina u rregulluan edhe disa fasada. Ka nja tre- katër vjet që është kjo gjendje. “Ca thonë nuk ka interes, ca thoni që i ka privat… fjalë janë fjalë. Mirë do te ishte të rregulloheshin se do të futeshin njerëz në punë, turistë do të vijnë më shumë…” shprehet një prej banorëve.

Fiksi pyeti edhe në Bashkinë Tepelenë për gjendjen aktuale të këtyre godinave të cilat që nga ndërtimi nuk janë vënë në punë. Këshilltari i kryetarit të bashkisë  z. Aleksandër Toti  shprehet se investimi është bërë në kuadër të rivitalizimit të qendrës së Nivicës, në kuadër të projektit të 100 fshatrave dhe konkretisht  nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit në vitin 2018.

Bëhet fjalë në hapësirë publike dhe private dhe ka kushtuar 500 mijë euro. “Bashkisë Tepelenë godinat i janë dorëzuar para 6-7 muajsh dhe kjo ka ndikuar në amortizimin e tyre” pohon z. Toti. Ai shton se vitet e fundit Nivica është në trendin e fshatrave turistik më të vizituar nga turistët ” nesë individë pse biznes privat do të shprehin interes do jepen me qira” thotë ai. Duke shtuar që para se kjo të ndodh do të duhet të ndërhyhet në riparimin e tyre.

Fiksi iu drejtua edhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit e cila në përgjigjen e saj zyrtare pohon se investimi me vlerë 47.071.276 Lekë është bërë për krijimin e infrastrukturës turistike midis zonave bregdetare dhe malore, konkretisht rijetëzimi i qendrës së fshatit Nivicë dhe rikonstruksioni i shkollës së vjetër në Nivicë i realizuar gjate periudhës 2016-2017.

Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka financuar vetëm fazën e parë të investimeve në ketë zonë, ndërsa zhvillimi i mëtejshëm i projektit do të vlerësohet nga Bashkia Tepelenë, si një institucion administrues i zonës, bazuar edhe në dorëzimin e projektit që është bërë me urdhër të brendshëm, për kalimin kapital pa pagesë, të 2 (dy) projekteve, investimeve të kryera nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit në Bashkinë Tepelene, nga inventari i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (AKB), tek inventari i Bashkisë Tepelenë. Në momentin e realizimit të dorëzimit të projektit, është marrë parasysh edhe amortizimi, thuhet në përgjigje, duke i dorëzuar Bashkisë Tepelenë dhe vlerën kontabël të projektit.

Por në asnjë rresht të përgjigjes ,Agjencia Kombëtare e Bregdetit nuk shpjegon se pse u deshën kaq vite për t’ia kaluar Bashkisë Tepelenë. Ajo që kuptohet është se përsëri me taksat e shqiptarëve do të paguhet për riparimin e ndërtesave dhe kjo për burokracitë e institucione shtetërore.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA