Terapia e artit po përdoret gjithnjë e më shumë në vendin tonë, si një mënyrë për të kuptuar më mirë botën e brendshme apo për të zbërthyer emocionet, pa qenë nevoja për të folur mbi to.
Anna Konya, është një artiste hungareze, e cila prej 5 vitesh tashmë jeton në Tiranë dhe përmes artit ka zgjedhur që të ndihmojë njerëzit.
“Është një mënyrë e lehtë përmes së cilës personi fokusohet më tepër tek ndjesitë e brendshme. Duart fillojnë veprojnë ndërsa mendja fokusohet tek ngjyrat, tek procesi i krijimit pasi përmes ngjyrave që individi zgjedh dhe objekteve që vizaton, tregon shumë mbi gjendjen e tyre. Dhe prej këtij momenti përmes artit hapet një derë që të jep mundësi të kuptosh më mirë veten”, tha Anna Konya, artiste hungareze.
Kjo lloj terapie i vjen në ndihmë çdo lloj moshe, si fëmijëve ashtu dhe të rriturve, ku përmes një peneli apo një lapsi, arrijnë të shprehin atë që nuk mund ta thonë përmes fjalëve.
“Unë gjithmonë them që mosha është vetëm një numër. Mund të ndihmojë fëmijët që të zhvillohen apo të shprehen më mirë. Vizatimet që bën një femijë gjithmonë tregojnë një histori dhe flasin për atë që ka brenda mendjes së tij”, theksoi ajo.
Edhe për vet artisten hungareze, ardhja në Shqipëri, duke lënë pas jetën e saj të vjetër, për të nisur një të re, është një sfidë.
“Këtu në Shqipëri njerëzit janë shumë të hapur që të mësojnë dhe të përthithin sa më shumë nga metodat që vijnë nga vende të tjera. Për mua është një sfidë por Shqipëria është vendi që unë zgjodha të jetojë jetën time, edhe për mua është një proces shërimi”, sipas saj.
Top Channel