Irani e braktisi për disa orë “durimin e tij strategjik” në përpjekje për të ruajtur imazhin e tij, e për të demonstruar se është i aftë të mbërrijë në territorin armik dhe të dëshmojë se i ka mjetet që i nevojiten për kauzën e tij.
Pasi lëshoi gati 200 raketa balistike drejt Izraelit, duke e kryer sulmin më të madh si kurrë ndonjëherë ndaj rivalit të vet të përbetuar, Republika Islamike tani përgatitet për reagimin e këtij të fundit.
Këtë herë, Teherani përdori raketa më të përparuara dhe nuk dha paralajmërime të dukshme para kryerjes së sulmit.
Pasdaranët përdorën një tjetër taktikë, ndryshe nga ajo e muajit prill kur u mbështetën më shumë tek dronët e predhat më të thjeshta. Këto herë, Rojet Revolucionare thonë se lëshuan raketa hipersonike Fattah 1.
IDF-ja izraelite këtë e mohoi, edhe pse u detyrua të pranonte se ka pësuar dëmtime në disa baza ajrore, përfshirë Nevatimin, ku strukturat janë nxjerrë jashtë përdorimit, por fatmirësisht, jo edhe avionët e çmuar F35. Krateri 500 metra larg selisë së Mossad-it është i dukshëm, i shfaqur dhe në pamjet televizive.
Ekspertët mendojnë se iranianët e kanë studiuar me kujdes situatën për të korrigjuar gabimet e tyre. Ata thonë se në Teheran janë vënë në lëvizje disa teknikë dhe kjo ishte arsyeja përse republika islamike veproi në mënyrë më fleksibile dhe më komplekse, ndaj edhe nuk duhet nënvlerësuar.
Një prej teknikëve të përfolur besohet të jetë gjenerali Amir Ali Hajizadeh, përgjegjës për Divizionin e Hapësirës Ajrore dhe një figurë e rëndësishme në programin strategjik, i cili mund të urdhërojë përdorimin e një “mizërie” raketash, kombinuar me dronë kamikazë që së bashku mund të kapërcenin aftësitë e çdo mburoje të fuqishme anti-raketore.
Ndërkohë, nuk duhen harruar, thonë analistët ushtarakë, edhe milicitë aleate të tij në Liban, Siri, Irak dhe Jemen. Por edhe hakmarrja e Izraelit mund të jetë nga ana tjetër shumë me e fuqishme se ajo e prillit Ali Vaez, drejtor i Projektit për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, shprehet i bindur se “Izraeli natyrisht se do t’ia japë një goditje shumë më të rëndë Iranit”!
Top Channel