Izraeli e konfirmon: Kemi eliminuar kreun e qeverisë së Hamasit dhe dy komandantë të tjerë

03/10/2024 14:45

Izraeli njoftoi se ka vrarë kreun e qeverisë së Hamasit në Gaza, Rawhi Mushtaha, së bashku me dy komandantë të tjerë të grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, Sameh Siraj dhe Sameh Oudeh.

Sulmi, sipas IDF-së ka ndodhur në 3 tetor, por Hamasi e kishte mbajtur ngjarjen të fshehtë për të mos ulur moralin e ndjekësve të tij.

Tre krerët e grupit, sipas ushtrisë izraelite, ishin strehuar në një ndërtesë të fortifikuar nëntokësore në veri të Gazës, që shërbente si qendër kontrolli dhe komande, por që u “fshi nga faqja e dheut”.

Mushtaha ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Yahya Sinëar, udhëheqësit kryesor të Hamasit, që ndihmoi në planifikimin e sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit që nxiti dhe hakmarrjen e këtij të fundit ndaj territorit palestinez, të kthyer tashmë në masë të madhe në gërmadhë.

Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë në Gazë. Deri më tani, si pasojë e luftës në Gazë janë vrarë më shumë se 41.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë atje.

Mbi gjysma e viktimave ishin gra dhe fëmijë. Izraelitët pretendojnë se Mushtaha ishte një nga “operativët më të lartë” të Hamasit, dhe kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në vendimet që kishin të bënin me vendndodhjen e luftëtarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA