U thirr në SPAK për ‘Mbretin Zog’, Bardhi: U dhashë prokurorëve celularin, dyshoj te zyrtarë publikë ose subjekte të krimit të organizuar

02/10/2024 15:41

Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, lidhur me një mesazh që i ka mbërritur disa ditë më parë në aplikacionin Signal, të cilën e konsideron të rremë.

Bardhi depozitoi në SPAK një fotografi të mesazhit që i ka ardhur në aplikacionin e komunikimeve Signal nga një përdorues i identifikuar si “Mbreti Zog”. Në një deklaratë për media pasi doli nga godina e SPAK, Bardhi tha se u vuri në dispozicion prokurorëve të SPAK celularin e tij. Ai theksoi se nuk shantazhohet, “kur bëhet fjalë për mbrojtje të interesit publik”.

“SPAK ka marrë të gjitha të dhënat e nevojshme me qëllim që të identifikojë nga ka ardhur mesazhin në telefonin tim dhe autorët. Nuk kam asnjë dyshim. Kam besim se nuk është vetëm në interesin tim personal, nuk shantazhohem kur bëhet fjalë për mbrojtje të interesit publik. Është një çështje edhe në interes të Prokurorisë së Posaçme.

I jam drejtuar SPAK sepse dyshimi është se personat që kanë sajuar këtë veprimtari kriminale, janë ose subjekte të krimit të organizuar ose zyrtarët publikë që dalin në përgjime. Nuk më mori kush në pyetje, se nuk kam ardhur për t’u marrë në pyetje. U vura prokurorëve në dispozicion telefonin tim”, tha Bardhi.

Top Channel ka mësuar se mesazhi që ka shkuar dje në aplikacionin e kreut të grupit të PD-së përmbante fotografinë e disa mesazheve të shkëmbyer në rrjetin SKY- ECC, ku në njërin prej tyre, të nisur nga Ervis Martinaj në drejtim të një numri tjetër thuhej “çoji Gaz Bardhit 100 mijë euro te hotel…” dhe ishte nisur në vitin 2021.

Këto mesazhe intimiduese dhe me përmbajtje tërësisht të rreme vijnë pas seancës plenare të datës 12 Shtator 2024, ku gjatë një interpelance me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, unë në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë e përballa atë me disa të dhëna të platformës SKY/ECC që janë bërë publike, si dhe e paralajmërova se shumë shpejt do ta përballë me të dhëna të tjera të të njëjtës natyrë që provojnë lidhjet mes funksionarëve të lartë publik dhe krimit të organizuar, gjithmonë pa cenuar dhe duke respektuar rregullat për ruajtjen e sekretit hetimor”, shkruan Bardhi në letrën drejtuar kreut të SPAK-ut, Altin Dumani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA