Regjistrimet në Universitetin Bujqësor/ Raundi i dytë, studentët do të paguhen me 400 mijë lekë çdo muaj

02/10/2024 19:52

Raundi i dytë i regjistrimeve vazhdon edhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës, që ofron 24 programe studimi nga të cilat 6 janë prioritare që do të thotë që studentët përgjatë viteve të Bachelorit do të paguhen me 400 mijë lekë të vjetra çdo muaj.

Fatbardh Sallaku, rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës thotë: “Në raundin e dytë aktualisht janë regjistruar mbi 130 studentë. Ndërsa në raundin e parë u realizuan rreth 55% e kuotave. Në total deri më tani janë regjistruar 800 maturantë.

Një vit më parë ne patëm 1150 studentë të regjistruar dhe shpresojmë që më mbylljen e raundit të dytë dhe fazës së lirë të regjistrimeve do ta arrijmë këtë shifër edhe këtë vit.

Një maturant duhet të studiojë në Universitetin Bujqësor të Tiranës pasi përveçse janë degë të rëndësishme për ekonominë kombëtare ku punësimi është i sigurt, por merr edhe një pagesë ekstra gjatë studimeve, të gjithë të rinjtë që do të regjistrohen këtë vit bëhen pjesë e një ndër projekteve më të rëndësishme që Universiteti Bujqësor ka filluar të implementojë me një prej universiteteve më të mira të Shkencave të Jetës në Europë. Çka do të thotë që mbi 200 studentë që do të jenë pjesë e UBT do të përfitojnë minimalisht 6 muaj qëndrim në universitetin BOKU në Vjenë.

Degët që rrezikojnë të mbyllen janë Zooteknia dhe Peshkimi, që janë në vlerat 6-7 studentë deri tani të regjistruar, por unë shpresoj shumë që në mbyllje të raundit të dytë dhe fazës së lirë të regjistrimeve të lira edhe këto degë të shkojnë mbi kufirin limit që është mbi 12 studentë.

Degët e preferuara janë Ekonomia, Financa, Agrobiznesi, Informatika e Biznesit, Mjekësia Veterinare që ka maturantë shumë cilësorë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA