Incidenti në Parlament/ Zbulohet shifra e dëmit financiar të karrigeve të djegura! Fatura u shkon deputetëve të PD-së

01/10/2024 15:07

Për bllokimin e punimeve të kuvendit dhe djegien e karrigeve, deputetët e opozitës nuk rrezikojnë vetëm ndëshkim me përjashtim nga jeta parlamentare por edhe sanksione financiare.

Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, mësoi se kostoja e një karrigeje prej atyre që u dogjën nga deputetët e opozitës ka vlerën e 35.000 lekëve. Me këtë çmim nga paratë e taks-paguesve shqiptarë, janë blerë në 2010 kur salla e kuvendit pësoi një rinovim total. Të hënën kjo zjarrvënie prej deputetëve të PD, shkrumboi 30 karrige, vlera të cilave në total shkon në 1.050.000 lekë. Kjo kosto e dëmit të shkaktuar, do të paguhet prej deputetëve të përfshirë në zjarrvënie. Kuvendi i Shqipërisë, thotë se ka ngritur një grup pune për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.

“Në përfundim të këtij vlerësimi, deputetët e përfshirë do të ngarkohen me përgjegjësinë e dëmshpërblimit të plotë financiar. Karriget e djegura prej tyre nuk janë të tyret, po janë të popullit shqiptar dhe janë blerë e mirëmbahen ashtu si edhe të gjitha pajisjet e tjera, me taksat e shqiptarëve. Zëvendësimi i plotë i tyre dhe i çdo pajisjeje tjetër të dëmtuar do të bëhet ekskluzivisht me të ardhurat që do t’u mbahen nga paga deputetëve të përfshirë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Kjo ishte panorama e jetës parlamentare një ditë pas qëndrimit të radikalizuar të opozitës në raport me Kuvendin e Shqipërisë. Në komisionin parlamentar për punët e jashtë ku deputetët e opozitës lanë bosh karriget e tyre. Ky komision, vijoi vetëm me prezencën e deputetëve socialist.

Mungesën e argumentuan me faktin se për ta është më e vlefshme zbritja në bazë dhe mobilizimi për protestën e të Hënës.
Në fakt një kontradiktë me deklarimet e një dite më parë nga ku deputetët e opozitën u shprehën për vijimin e rezistencës edhe në komisionet parlamentare përfshi seancat plenare.

E njëjta situatë edhe në komisionet e tjera parlamentare paraditen e të kësaj të Marte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA